Në rreth 30 për qind të rasteve ka mospërputhje në ndarjen e drejtësisë në OSHP

20.12.2019 23:06:03

Organi Shqyrtues i Prokurimit i njohur si “Gjykata e tenderëve” është institucioni që ndan drejtësinë kur kompanitë që garojnë për një tender mendojnë se u është bërë e padrejtë nga institucionet.

Prokurimi është vrima e zezë e institucioneve publike në Kosovë. Me dyshime se paneli po e kryen punën njëanshëm, po përballen edhe anëtarët e Bordit të OSHP-së që janë të thirrur për të ndarë drejtësi në mes të prokurimeve publike e kompanive në garë që duan të marrin punë nga shteti. Kjo pasi për ta ka disa kallëzime penale, shkruan lajmi.net.

Megjithëkëtë, ekspertët e OSHP-së që përzgjidhen nga paneli për të bërë një ekspertizë në lidhje me ankesat e kompanive po kanë mendime të ndryshme për një lëndë të prokurimit. Në rreth 30 për qind të mendimeve për një lëndë ka mospërputhje në mes të një eksperti të cilit i jepet lënda për hetim nga OSHP-ja dhe vendimit të tre anëtarëve të panelit të OSHP-së.

Janë dy kategori të ekspertëve; ekspertët shqyrtues që merren me shqyrtimin e pretendimeve që lidhen me procedurat e prokurimit, si dhe ekspertët teknik që kanë njohuri më të thella për një fushë të caktuar.

Lajmi.net ka kërkuar të dijë nëse ka pasur raste të ndëshkimit të ndonjë eksperti shqyrtues, nga ana e OSHP-së, meqë ka shumë vendime kontradiktore, por zyra e informimit të këtij institucioni nuk është përgjigjur në këtë pyetje, sikundër nuk kanë dhënë as statistika të kësaj natyre as për vitin 2019.

“Organi Shqyrtues i Prokurimit, në lidhje me pyetjet që keni parashtruar ju njofton se konform nenit 113 dhe 114 të LPP-së eksperti shqyrtues i ka përgjegjësitë e veta dhe konform këtyre dispozitave ligjore jep mendimin e vet të pavarur lidhur me pretendimet e parashtruara në ankesë brenda afatit prej dhjetë ditësh. OSHP ju njofton se publikon raportin vjetor në çdo fillimvit ku mund të bëni analizat tuaja lidhur me ankesat e pranuara”, thuhet në përgjigjen e OSHP-së për lajmi.net.

Sipas Organizatës Demokracia Plus (D+), e cila merret me monitorimin e OSHP-së ka mospërputhje në mendime në mes të panelit dhe ekspertëve në rreth 30 për qind të vendimeve.

“LPP ka dhënë hapësirë për interpretime të ndryshme dhe pikërisht për këtë ka raste kur për një çështje te caktuar eksperti dhe paneli i OSHP-së kanë mendime të ndryshme. Nga monitorimi që kemi bërë, mospërputhja në mendime është në rreth 30% të vendimeve që nuk është shifër e lartë, pasi nuk do të ishte e logjikshme që të pajtohen gjithmonë dhe nuk do të kishte arsye që të angazhohen ekspertë në atë rast”, tha për lajmi.net Agon Hysaj, monitorues në organizatën Demokracia Plus.

Hysaj thotë se, ekspertët në shume raste janë joprofesional dhe shpesh kanë vendosur në lajthitje panelin. “P.sh një eksperte nuk ka ditur të llogarisë kontributin pensional”, tha tutje Hysaj.

Sipas raporteve të OSHP-së, gjatë periudhës Janar – Dhjetor 2018, Organi Shqyrtues i Prokurimit ka pranuar 763 ankesa, për prokurimet publike, për partneritet publiko-privat dhe ankandet, të cilët kanë kundërshtuar vendimet e Autoriteteve Kontraktuese për dhënien e kontratës, vendimet për anulimin e aktiviteteve të prokurimit ose kundër specifikimeve teknike favorizuese apo diskriminuese të parapara në dosje të tenderit.

Duke krahasuar numrin e ankesave të pranuara gjatë vitit 2018, me ato të vitit 2017 vërehet një rritje prej 210 ankesave.

Paneli shqyrtues, ka aprovuar vendimet e Autoriteteve Kontraktuese, si të bazuara në 250 raste, duke konstatuar se pretendimet e palëve ankimore nuk kanë qenë të mbështetura në argumente ligjore që të aprovohen ankesat e tyre.

Paneli Shqyrtues ka marrë vendim për rivlerësimin e ofertave në 396 raste, duke konstatuar se është bërë vlerësimi i gabuar i ofertave nga komisionet vlerësuese, duke hasur në shkeljet e caktuara të LPP-së dhe rregullave të prokurimit publik.

Ndërkohë, sipas, organizatës D+ për periudhën 1 qershor 2018 – 31 maj 2019, në 429 vendime që janë në favor të kompanive ankuese, eksperti ka dhënë rekomandim të kundërt në 124 raste ose 29 për qind të tyre. Në 279 vendime të panelit që kanë qenë kundër kompanive ankuese, ekspertët kanë rekomanduar ndryshe në 91 raste ose 32.6 për qind të tyre. Në përgjithësi vendimet e panelit dhe rekomandimet e ekspertëve nuk përputhen në 215 raste ose 30.4 për qind.

Rasti i fundit ku nuk ka mospërputhje në mes të ekspertit të OSHP-së dhe Panelit ka të bëjë me tenderin “Ndërtimi i rrugës me katër korsi nga Rahoveci deri në Xërxë”, i iniciuar nga Komuna e Rahovecit.

Tenderi është i ndarë në tri lote (pjesë) dhe pjesëmarrës në këtë aktivitet të prokurimit kanë qenë 24 kompani. Të gjitha lotet kapin vlerën 6.5 milionë euro.

Për këtë lëndë ka pasur ankesa nga kompanitë për shkelje të ligjit nga ana e Komunës kur ka zgjedhur fituesit. Eksperti i OSHP-së, Sahit Beqiri ka konstatuar se ka shkelje, ku ka rekomanduar që pjesa e dytë dhe e tretë e këtij tenderi të kthehet në rivlerësim, ndërsa pjesa e parë është aprovuar pjesërisht. Paneli i OSHP-së në mbledhjen e mbajtur ka nxjerrë vendim që ankesa të aprovohet pjesërisht, por ka rekomanduar që të nënshkruhet kontrata për të tri lotet (pjesët). Ndërkohë në disa pjesë të ankesës i ka dhënë të drejtë ekspertit të vetë.

Me kontratë janë shpërblyer, për lot1, konzerciumi “Victoria Invest International” & “Victoria Invest” në vlerë prej 2.947.480,25 eurove.

Për lot 2 “Euroasphalt” & “Trasing Group” & “Arfa Group” & “Asfalti” & “Rea” në vlerë prej 1.739.598,46 eurove.

Për lot 3 është shpërblyer konzerciumi “Mendi –P” & “Euroing” në vlerë prej 1.826.875,07 eurove.

Në këtë lëndë Paneli Shqyrtues i OSHP-së ka pranuar se ka lëshime nga ana e vlersimit të komunës, por sipas tyre, ato janë të vogla që nuk mund të shkaktojnë ndryshime materiale ose janë devijime nga karakteristikat. Dhe këto për panelin janë konsideruar jo të rëndësishme në raport me interesin publik dhe fondet publike.

Megjithëkëtë, janë disa raste duke u trajtuar në Prokurori ndaj anëtarëve të Panelit të cilët dyshohet se u kanë dhënë të drejtë autoriteteve kontraktues, konkretisht Ministrisë së Infrastrukturës kur janë shpërblyer me kontratë kompanitë më të shtrenjta për qindra mijëra euro.

Më poshtë mund të shihni mendimin e ekspertit për lëndën e Komunës së Rahovecit. /Lajmi.net/