Në shkollat e Prizrenit si në Turqi e Bosnje (foto)

06.06.2019 15:31:23

Ka pasur lajme se në shkollat në gjuhën serbe, në të cilat vijojnë mësimet nxënës të komunitetit serb, administrata dhe evidencat tjera mbahet vetëm në gjuhën serbe, e jo edhe në gjuhën shqipe.

Ky është parë si një veprim që ndodh për shkak të raporteve me Serbinë, të cilën e konsiderojnë shtet të tyre.

Mirëpo, nuk janë vetëm shkollat në gjuhën serbe që administratën dhe evidencat tjera i mbajnë vetëm në gjuhën serbe, por kështu ndodh edhe në Prizren.

Fokusi.org ka arritur të sigurojë dëshmi sipas të cilave shihet se në paralele turke dhe boshnjakë në SHFMU “Motrat Qiriazi”, të gjitha shënimet dhe të dhënat zyrtare mbahen vetëm në gjuhën turke, përkatësisht boshnjakë.

Sipas burimeve të fokusi.org, në paralele në gjuhën boshnjake shkruhet në variantin cirilik, e jo latin.

Sipas pikës 2 të nenit 5 të  kushtetutës së Republikës së Kosovës, gjuha turke, boshnjakë e rome janë gjuhë zyrtare më nivel komunal, pra krahas gjuhës shqipe.

Mirëpo, nga fotografitë e siguruara nga fokusi.org, jo që nuk respektohet ky përcaktim kushtetues, por gjuha shqipe as që figuron në ditarët e kësaj shkolle.

 

 

Siç po shihet, në këtë shkollë (nuk përjashtohet mundësia që kështu të ndodhë edhe në shkollat tjera të kësaj komune), gjuha shqipe injorohet tërësisht dhe duket se paralele në gjuhën turke dhe boshnjakë nuk janë në Kosovë, por në Turqi apo në Bosnjë.

Po ashtu, ka të dhëna se personeli arsimor në gjuhën turke, krahas pagës që merr nga buxheti i Kosovës, merr edhe një pagë nga Turqia, njësoj si personeli arsimor serb që merr një pagë nga Kosova, e një pagë nga Serbia.

Drejtoria e Arsimit në qeverinë komunale dhe MASHT duhet të shohin me urgjencë këtë çështje dhe të ndikojnë në zbatimin e kushtetutës së Republikës së Kosovës, pa cenuar të drejtën e komuniteteve etnike për shkollim në gjuhën amëtare!/fokusi.org