Në Shqipëri : Drejtoresha e Tatimeve në Vlorë,u përfshi në fushatë, hetohet nga Prokuroria

06.06.2017 11:39:31

Ministria e Financave ka informuar Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë, që në ushtrim të funksionit kushtetues të ndjekjes penale, të kryejë veprimet e nevojshme për hetimin, e znj. Pranvera Resulaj, Drejtoreshë Rajonale e Tatimeve në Vlorë.

Nisur nga informacionet dhe materialet bashkëlidhur, Znj. Resulaj, rezulton të jetë përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë në fushatë elektorale, në kundërshtim flagrant me ligjet në fuqi si dhe me VKM nr. 473, dt. 01.06.2017.

Nisur nga ky rast, Ministria e Financave kërkon nga të gjithë punonjësit e institucioneve të varësisë qe të zbatojnë me përpikmëri detyrat funksionale në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Ministria e Financave përfiton nga rasti t’ju bëjë thirrje qytetarëve që të denoncojnë rastet e evidentuara nga ana e tyre të përfshirjes së punonjësve të administratës në varësi të kësaj ministrie ne aktivitetet partiake. Ata janë të lutur që të na shkruajnë ose të na dërgojnë foto apo filmime në numrin 0676054545. (Ëhatsapp, Viber)