Në Shqipëri: Kriza politike, ambasadori Lu takon Ramën në kryeministri

16.05.2017 13:20:39

Pak pasi Basha ka mbledhur aleatët për t’u komunikuar rishqyrtimin e paketës “McAllister” për zgjidhjen e krizës politike, kryeministri Rama ka pritur në selinë e qeverisë ambasadorin amerikan Donald Lu.

Pas takimeve me Ramën dhe pastaj edhe me Bashën, zyrtari i lartë i DASH-it, Hoyt Yee, ka theksuar se “ekziston tashmë një propozim që u paraqit nga anëtarët e Parlamentit Europian, Fleckenstein dhe McAllister. Siç e dini, ne e mbështesim atë. Mendojmë se është një propozim i ndershëm dhe shpresojmë që partitë do ta pranojnë si mjet për të arritur një marrëveshje për të mundur që të marrin pjesë në zgjedhje”.

Rama dhe Lu kanë biseduar për rreth 45 minuta dhe pritet që përveç Bashës, edhe kryeministri të japë një përgjigje përfundimtare për propozimin e negociatorit David McAllister dy javë më parë.

Oferta në tavolinë tashmë vlen njëlloj si për Bashën, ashtu edhe për Ramën, i cili në negcitatat e fundit me kryedemokratin në prani të Nishanit, ofroi shume me pak se paketa “McAllister”, duke akuzuar PD se nuk e fitoi shansin në kohën e duhur.

Çfarë parashikon paketa McAllister

  1. Procesi zgjedhor të shtyhet për në datën 16 korrik.
  2. Zëvendësimi i katër ministrave kyç të qeverisë, me persona teknikë të propozuar nga Kryeministri dhe të aprovuar nga opozita.
  3. Paketë për zgjedhjen me konsensus të Presidentit të Republikës dhe Avokatit të Popullit.
  4. Kalimi i kreut të KQZ-së tek opozita, por shumicën në institucion do të vazhdojë ta mbajë maxhoranca.
  5. Dakordësimi për një tryezë të rrumbullakët të OSBE-së, pjesëmarrje të OJQ-ve në të gjithë këtë proces.