Në Shqipëri: Marrëveshja Rama-Basha, Blushi: Manovër e turpshme, mbrojnë njëri-tjetrin

21.05.2017 12:51:21

Kreu i LIBRA-s Ben Blushi, prezantoi pasditen e së shtunës kandidatët për deputetë për qarkun e Elbasanit. “Manovër të turpshme”,- e ka cilësuar Blushi marrëveshjen Rama-Basha që sipas tij nuk është gjë tjetër veçse një mënyrë për të mbrojtur interesat e njëri-tjetrit.

“Të votosh Rilindjen është njëlloj sikur ke votuar Saliun dhe të votosh Saliun është njëlloj sikur të votosh Ramën kryeministër. Ata bënë marrëveshjen e turpshme, ndanë burgjet, hipotekat, ALUIZNI-n, gjithçka që ka të bëjë me paranë. Ata nuk e kanë mendjen tek njerëzit por se si të zhvatin njerëzit”, tha Blushi.

Gjatë fjalës së tij, Blushi i  kërkoi ndjesë qytetarëve të Elbasanit që në 2013, bëri fushatë me premtime që rezultuan një farsë. Kur kandidonte për deputet në këtë qark nën siglën e Partisë Socialiste, kreu i LIBRA-as, u premtoi 300 mijë vende pune, shëndetësi falas dhe taksa më të ulëta në emër të Rilindjes, por që rezultuan një farsë dhe dështim.

“Kërkoj ndjesë sepse kërkova vota për 300 mijë vende pune, për shëndetësi falas, për arsimim, për taksa më të ulëta! Ju kërkoj ndjesë që nuk ju mbrojta dot nga varfëria, dhuna, korrupsioni. Por edhe Republika e Re e Lulzim Bashës është e njëjta gjë ndaj mos u gënjeni”, vijoi kreu i LIBRA-s.

Më pas Blushi vazhdoi me prezantimin e programit të LIBRA-s, duke thënë se kjo lëvizje politike është shpresa  e të gjithë neve dhe se do të punojë fort që të rrisë dinjitetin e shqiptarëve. Theksin, Blushi e vuri tek punësimi i 100 mijë të rinjve. Gjatë prezantimit të kandidatëve për deputet, Blushi tha se lista e LIBRA-s është e përbërë nga njerëz të thjeshtë dhe jo të korruptuar apo kriminalziuar.