Në Shqipëri : PD sulmon ish-kongresmenin amerikan: U ble nga Rama me paratë e drogës

19.07.2017 10:37:49

Pas deklaratave të ish-kongresmenit shqiptaro-amerikan Xhozef Dioguardi, i cili vlerësoi punën e kryeministrit Rama si dhe theksoi se veç Ramës asnjë tjetër nuk e donte reformën në drejtësi, ka reaguar edhe Partia Demokratike.

Partia Demokratike e sulmoi ashpër ish-kongresmenin, të cilin e cilëson si lobistin më të ri të Edi Ramës.

“Një ish-kongresmen është shfaqur sot haptazi si lobisti më i ri i Edi Ramës. Nga mungesa e skrupujve, duket se është paguar mirë. Ky ish-kongresmen, teksa flet për Shqipërinë, nuk përmend në asnjë fjalë drogën, krimin, korrupsionin dhe shitblerjen masive të votave, fakte që i di e gjithë bota. Pse nuk i përmend? Shumë e thjeshtë.

Se është në shitje, dhe është blerë pikërisht nga këto para të pis​ta, siç janë blerë jo pak lobistë të tjerë nga Edi Rama, në Bruksel, Berlin e Uashington. Kjo është skema e Edi Ramës, të blejë gojë që flasin për të jashtë, dhe të blejë varfërinë e shqiptarëve kur vjen dita e zgjedhjeve. Sa mendon se do shkojë kështu? Jo shumë larg, askush s’ia ka dalë të mbajë pushtetin me para droge, krimi dhe korrupsioni”, thuhet në njoftimin e PD.