Në shtator pritet të hiqet taksa për librin

13.06.2018 12:00:20

Nga data 4 deri 10 qershor në Prishtinë për të 20-në herë u mbajt Panairi i Librit. Por, sfidë për botuesit, autorët dhe për libraritë mbetet taksa mbi librin.

Drejtor menaxhues i librarisë “Dukagjini”, Blerim Muhaxhiri, ka thënë se taksat mbi librin janë barrë e madhe për botuesit, autorët dhe për libraritë.

“Është e padrejtë e madhe dhe peshë shumë e rëndë për librin, duke filluar nga shkrimtari, te botuesi e deri te libraria që e shet në fund librin”, ka thënë Muhaxhiri, duke shtuar se nuk e di cili është përfitimi i shtetit me këtë taks, kur gjendja ekonomike e popullit nuk është e mirë, dhe se kjo e pengon edhe hapjen e librarive të reja, shkruan Telegrafi.

Muhaxhiri në emisionin “Përballje”, ka krahasuar taksat e Kosovës me vendet e rajonit.

“Për librin e huaj,  Shqipëria e ka taksën zero, ndërsa te na në Kosovë, libri e ka taksën 8 për qind, por kur kanë ilustrime, që zakonisht janë librat e fëmijëve, janë të ngarkuar me doganë 18 për qind, plus 8 për qind tatim mbi vlerën e shtuar (TVSH)”, është shprehur Muhaxhiri.

Ai ka shpjeguar pse libri i njëjtë në Kosovë mundë të kushtojë më shtrenjtë se në Shqipëri.

“Nëse fatura ka vlerë 1 euro ose 1 milion euro, ne i paguajmë 130 deri 150 euro, procedurë doganore pa përfshirë edhe TVSH-në”, ka shtuar më tej Muhaxhiri, duke thënë për shkak të këtyre taksave dhe proceduarave, libri i njëjtë në Kosovë detyrohet të shitet për rreth një euro më shtrenjtë se në Shqipëri.

Në mbledhjen e saj të rregullt të Qeverisë, kryeministri i Kosovës kishte kërkuar nga ministri i Financave, Bedri Hamza, sqarim lidhur me Ligjin për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, veçanërisht për librin.

Ndërsa, Hamza lidhur me këtë ka thënë se ky Ligj është në procedurë dhe pritet që gjatë këtij muaji të procedohet në Qeveri dhe pastaj të procedohet në Kuvend, përmes të cilit adresohet edhe çështja e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për librin dhe lirimin e tij nga kjo taksë.

Kryeministri Haradinaj në hapje të panairit kishte thënë se do të ketë lehtësira për librin, me taksë zero që do të jetë funksional në muajin shtator.

“Qeveria është e vendosur që të përkrahë botimin, shpërndarjen e librit, duke bërë lehtësira në taksa, me TVSH zero, por edhe me zbatimin ligjit, i cili do ta garantojë këtë, e që do të jetë funksional në muajin shtator”, kështu tha kryeministri Haradinaj, në hapjen e Panairit.