Në Skoci kërkojnë yllin e kombëtares, Gerard gati të bëjë çmenduri për të

27.08.2018 21:33:29

Shqipëria e Cristian Panuccit është një minierë e vërtetë ari. Pavarësisht rezultateve të dobëta që e kanë shoqëruar rrugëtimin e teknikut të ri italian në ndeshjet e para me kuqezinjtë, zbuluesit e talenteve shohin tek Shqipëria lojtarë me kualitet që mund t’i shërbejnë klubeve cilësore ne Europë.

Një nga lojtarët më premtues është mesfushori me tipare sulmuese Eros Grezda, i cili ka shkëlqyer me ekipin e Osijekut në Kroaci dhe ka pasur të njëjtin sukses edhe në ndeshjet e para me kombëtaren.

Duket se e ardhmja e Grezdës është larg “Dalmacisë” pasi për të ka sirena skoceze. Është prestigjiozja britanike “The Sun” që shkruan sot se ekipi legjendar skocez “Rangers” është gati të rrëmbejë talentin prizrenas për një shumë të bujshme, prej 2.7 milionë paund.

Akoma më për tu vlerësuar është fakti se Rangers është rikthyer fuqishëm duke rivalizuar Celtic në kampionat dhe tani skuadra drejtohet nga legjenda e Liverpool, Steven Gerard.

Është pikërisht ish- ylli i kombëtares angleze që kërkon të zëvendësojë Xhemi Mërfin, i cili pësoi një dëmtim që e bëri të humbasë të gjithë sezonin, me Grezdën që është ylli i ri i kombëtares shqiptare.

Djaloshi nuk luajti në ndeshjen e Osijek, që u eliminua në raundet e Europa Ligës dhe kjo shton akoma edhe më shumë zërat për një kalim të tij në Skoci për t’u vendosur në urdhrat e Gerard.