Duke folur në një intervistë për DW mbi procesin e hapjes së negocjatave dhe reformat, presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli, deklaroi se vendi ynë nuk është refuzuar.
“ Dëshiroj, mbi të gjitha, t’i siguroj qytetarët shqiptarë se nuk është thënë asnjëherë ndonjë “Jo”; është ngadalësuar procesi i anëtarësimit, e kjo është tjetër gjë. Sassoli shtoi se disa vende anëtare nëntorin e kaluar, menduan se duhej të sqaroheshin më mirë rregulla të caktuara të metodologjisë së anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, dhe me këtë është marrë Komisioni Europian. “Për këtë ne jemi të sigurt që edhe ato vende që kanë shprehur disa mëdyshje, mund të mendojnë prapë për vendimin e tyre. Por Europa është e bindur që procesi duhet të shkojë përpara, ndonjë “Jo” nuk është thënë asnjëherë.
Nuk do të doja që të përcillej ndonjë mesazh i gabuar. Europa është e bindur për nevojën historike, politike, ekonomike të integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Dhe kjo është e ardhmja jonë”, tha Sassoli. Gazetarja rendit më tej disa probleme me të cilat përballet Shqipëria duke përmendur varfërinë, korrupsionin, apo një sistem drejtësie që nuk funksionon e nisur nga këto kërkon të dijë nëse vendi është gati të hyjë në BE.
“ Po të mos ishin këto probleme, Shqipëria tashmë do të ishte në Bashkimin Europian. Ne e dimë që procesi i anëtarësimit duhet ta ndihmojë Shqipërinë që të arrijë standardet e nevojshme për t’u futur në Bashkimin Europian. Procesi i anëtarësimit shërben për këtë, në mënyrë që të arrihet që një vend mund të verë bast mbi të ardhmen e tij që të anëtarësohet në Bashkimin Europian duke arritur objektivat”, shtoi Sassoli.
Ai tha me tejse janë parë përpjekje, vullnet, disa suksesi, disa reforma, dhe të gjithë këto bejnë të mendohet në BE se Shqipëria është në kushtet për t`I hyrë kësaj rruge.








































