Nënkryetari i VV: Nuk falim tokë në këmbim të vizave

05.03.2017 17:17:53

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Çaushi, thotë se pavarësisht vizitës së zyrtares nga Bashkimi Evropian, qëndrimet e tyre karshi demarkacionit, nuk kanë ndryshuar.

“Ne nuk mendojmë se është e drejtë që një populli t’i kushtëzohet lëvizja e lirë me falje të territorit. Themi falje për shkak se çdo e dhënë shkencore ka konstatuar një gjë të tillë, prandaj nuk ka asnjë ndryshim në situatën ose në aktualitetin e kësaj çështje je pas kësaj vizite. Nuk është se ka diçka sinjifikative të re”, shprehet Çaushi për Radion Evropa e Lirë

Çaushi thotë se përgjegjësia e secilit deputet, si atyre të partive në pushtet ose opozitës, duhet të jetë në mbrojtje të integriteti të vendit.

“Deputetët duhet të jenë dhe unë besoj se do të jenë, të paktën të opozitës, dhe shpresoj edhe të tjerët, në nivelin e detyrës së tyre dhe të marrin qëndrimin e drejtë në përputhje me mandatin që u është dhënë nga qytetarët në mbrojtje të integritetin territorial të Republikës së Kosovës”, thekson Çaushi.

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini, u ka bërë thirrje partive politike që ta kenë të qartë se kur është fjala për interesat e popullit, siç është liberalizimi i vizave, ato duhet ta tejkalojnë debatin ndërpartiak dhe të gjejnë rrugën përpara.