“Nëse dëshironi integrim në BE, largoni zyrtarët e korruptuar”

19.09.2016 11:36:19

Në diskutimin e sotëm publik me temën ‘Progresi në zbatimin e MSA-së: Sfida në agjendën evropiane dhe reformat në sundimin e ligjit”, Shefja e Re e Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka theksuar se MSA-ja është e rëndësishme politikisht dhe ekonomikisht.

“MSA është e rëndësishme politikisht dhe ekonomikisht, është kontrata e parë mes Kosovës dhe BE-së drejt integrimit”, ka thënë Apostolova.

Gjithashtu ajo ka theksuar se partitë politike duhet t’i tejkalojnë mos-marrëveshjet për shkak të integrimeve. Që sipas saj të përfitoj vendi nga integrimi në strukturat e BE-së.

“Ne duam ta shohim demokracinë dhe sundimin e ligjit në Kosovë, sundimi i ligjit është në thelb të marrëveshjes së MSA-së”, ka shtuar Apostolova.

Sipas saj nëse ky proces nuk procedohet siç duhet do ta pengojë Kosovën në rrugën e saj drejt BE-së.

“Kosova para integrimit në BE duhet që së pari të bëjë largimin e zyrtarëve politik të akuzuar për korrupsion. Emërimi në mënyrë transparente i anëtarëve në  bordet e ndërmarrjeve publike. Gjyqësori të jetë i pavarur nga ndikimet politike dhe të luftohet korrupsioni”, ka theksuar shefja e zyrës së BE-së në Kosovë.

Sipas saj këto janë disa nga kriteret që institucionet e Kosovës duhet t’i plotësojnë.