Neymar: Mbappe, shumë shpejt një ndër më të mirët e historisë

04.03.2019 14:45:11

Neymar nuk ka asnjë dyshim: Kylian Mbappe shumë shpejt do të shndërrohet në një prej lojtarëve më të mirë të historisë së futbollit. Neymar, i cili po shërohet nga një lëndim në shputën e këmbës, në një intervistë për transmetuesin brazilian “Globo” deklaroi:

“Marrëdhënia që kam me të është më e mira e mundshme, brenda dhe jashtë fushës. Unë e quaj “djali i artë”. Ai është një djalë për të cilin kam dashuri shumë të veçantë. Nuk kam dyshime, Kylian do të bëhet një nga lojtarët më të mirë në historinë e futbollit. Përpiqem ta ndihmoj në mënyrën më të mirë të mundshme. Për çdo gjë që ndeshim në stërvitje, ose në lojë, unë bisedoj me të, ose ai vjen për të folur me mua. Eshtë sikur të jemi vëllezër. Ne nuk e kemi zili njëri-tjetrin”.

Vlerësimi i Neymar për Mbappe vjen pas komenteve në lidhje me të ardhmen e tij, diçka që dhe për atë vetë mbetet e pasigurt: “Askush nuk e di të ardhmen”.

Talenti francez ka shkëlqyer që nga transferimi te PSG në vitin 2017, pasi fitoi titullin me Monaco. 20-vjeçari ka shënuar 50 gola në të gjitha garat me PSG.

Mbappe ka fituar një medalje të Kupës së Botës dhe dy tituj të Ligue 1 , si dhe “Coupe de France” e “Coupe de la Ligue”.