Nga burgu në gjobë Ylber Saliu

20.02.2018 10:02:45
Ylber Saliu, pronari i kompanisë “Trio Med” është dënuar për falsifikim të certifikatës së cilësisë.

Kryetarja e trupit gjykues, Naime Krasniqi- Jashanica ka shpallur sot vendimin për të akuzuarin Ylber saliu, pronarin e kompanisë “Trio Med”.

“Pas përfundimit të marrëveshjes për pranimin e fajësisë, i akuzuari shpallet fajtor”, tha Naime Krasniqi Jashanica.

Saliu që akuzohej për falsifikim të dokumentit zyrtar është dënuar me gjashtë muaj burg, ndërsa ky dënim i është kthyer në gjobën prej 3600 eurove.

Për një dënim të tillë Saliu kishte arritur marrëveshje me prokurorinë e cila u miratua nga gjykata.

Saliu gjobën duhet ta paguajë menjëherë pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

I akuzuari Ylber Saliu, në cilësinë e pronarit të Operatorit Ekonomik kompanisë “Trio Med” me seli në Prishtinë, në aktivitetin e prokurimit me titull “Furnizimi me barna dhe material shpenzues medicinal nga lista esenciale” të Autoritetit kontraktues Ministrisë së Shëndetësisë, sipas prokurorisë, me qëllim të fitimit të këtij tenderi, me dosje ka dorëzuar edhe dokumentin zyrtar ISO certifikatën e falsifikuar me të dhëna të rreme, kinse ka afat valid deri më 19 gusht 2017.

Aktakuza më tej sqaron se pas pranimit të këtij dokumenti, komisioni i vlerësimit të Autoritetit Kontraktues të Ministrisë së Shëndetësisë me rastin e kontrollimit të dosjeve së tenderuese, më 6 shkurt të vitit 2017 gjatë vlerësimit të ofertave, ka dyshuar se certifikata e lartcekur e dorëzuar nga i akuzuari Saliu është e falsifikuar, ashtu që, pas verifikimit të këtij dokumenti në Agjensionin TUV Gjerman, nga zyrtarët e këtij agjensioni është kthyer përgjigja se ISO certifikata është jovalide dhe të njëjtës i ka skaduar afati më 19 gusht të vitit 2015. Me këtë, Salihu ngarkohet për veprën penale falsifikimi i dokumentit zyrtar.

KALLXO.com dhe Drejtësia në Kosovë edhe në të kaluarën kanë raportuar për raste të ngjashme të falsifikimeve nga kompani që kanë furnizuar spitalet tona me pajisje medicinale dhe barna.