Ngritët aktakuzë edhe kundër një kryetari te PDK ‘së, Sokol Bashotës

04.08.2016 16:34:48

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur sot aktakuzë pranë Gjykatës Themelore në Pejë për rastin “Klina”.

Aktakuza është ngritur nga një Prokuror i EULEX’it në prokurorinë Speciale të Kosovës, i cili e  ka hetuar rastin.

Burime të Gazetës Express të afërta me Prokurorinë bëjnë të ditur se bëhet fjalë për Kryetarin e Komunës se Klinës, Sokol Bahotën, dhe disa zyrtarë të lartë komunal.

Gazeta ka provuar të kontaktojë më Kryetarin Bashota, po ai e ka të fikur telefonin.

Në komunikatën e Prokurorisë thuhet se katër të pandehurit akuzohen për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, shkelje kjo nga neni 422 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, në bashkëkryerje sipas nenit 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Përveç kësaj, dy nga të pandehurit akuzohen edhe për veprën penale të mosraportimit apo raportimit të rremë të pasurisë, të hyrave/të ardhurave, dhuratave, dobive materiale të tjera ose detyrimeve financiare, shkelje kjo nga neni 437 paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.