Nikotina mbron nga koronavirusi? OBSH-ja hedh dritë mbi hipotezën kontroverse të studimit që ngriti shumë pikëpyetje

23.04.2020 15:16:02

Duhanpirja shkatërron mushkëritë dhe pjesë të tjera të trupit dhe të bën më të brishtë ndaj infektimit prej Covid-19. Është ky mesazhi i dhënë në një postim në rrjetet sociale të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, për të hedhur poshtë çdo dyshim pas publikimit të një studimi kontrovers francez, ende në fazë parapërgatitore, që tregonte se si nikotina mund të ketë efekt mbrojtës ndaj infektimit të koronavirusit.

OBSH-ja bëri të ditur se është momenti i duhur për të lënë duhanin për të shpëtuar shëndetin, lexohet në postim. “Industria e duhanit po krijon polemika dhe konfuzion lidhur me përdorimin e nikotikës dhe produkteve të lidhura me duhanin dhe Covid-19″.

Ekspertët shëndetësorë paralajmëruan se duhanpirësit me Covid-19 me shumë mundësi vuajnë pasoja më të rënda krahasuar me të tjerët, gjë që mund të çojë në vdekje të parakohshme.