Nis kampanja “Libri im, Biblioteka jonë” – Të dhurojmë për bibliotekën e shkollës (Foto)

24.04.2018 15:40:52

Në Ditën Botërorë të Librit,  23 Prill 2018, Këshilli i Nxënësve të Prishtinës, Organizata CESD dhe Kolegji Iliria filluan kampanjën Libri Im – Biblioteka Jonë. Kjo iniciativë synon të sigurojë një bibliotekë të pasur për çdo shkollë të mesme në Kosovë.

Qendra për Zhvillimin Ekonomik dhe Social – CESD, Këshilli i Nxënësve të Prishtinës – KNP dhe Kolegji Iliria janë angazhuar për të ndihmuar në punën e institucioneve arsimore dhe në angazhimin e nxënësve në aktivitete të ndryshme.

Njëkohësisht përpjekjet janë për të rihapur bibliotekat e shkollave të mesme. Qëllim ky, që po arrihet përmes kampanjës “Libri im, Biblioteka jonë”, e cila tashmë ka filluar në të gjitha shkollat e mesme në qytetin e Prishtinës dhe do të vazhdojë në qytetet tjera në vend, pikërisht në Ditën Botërore të Librit, instrumentit më të fuqishëm të shpërndarjes së njohurive dhe mjetit më efikas për të siguruar ruajtjen e këtyre njohurive.

Nxënës, ish nxënës, prindër dhe i gjithë komuniteti, mund të bëhen pjesë e kampanjës “Libri im, Biblioteka jonë”, duke dhuruar aq libra sa kanë mundësi, me të cilat do të krijohet apo të pasurohet një bibliotekë e një shkolle të mesme.

Librat mund të dhurohen çdo ditë në pikat grumbulluese, të cilat tashmë janë vendosur në ambientet e shkollave të mesme si “Sami Frashëri”, “Dr. Ali Sokoli”, “Xhevdet Doda”, “28 Nëntori”, “Abdyl Frashëri”,“Hoxhë Kadri Prishtina”,“AhmetGashi”, “Gjin Gazulli”, “Alaudini”.

Në procesin e grumbullimit të librave janë angazhuar vullnetarë nga Kolegji Iliria,CESD-ja dhe KNP-ja si dhe vetë nxënësit e shkollave të mesme.

Iniciativa “Libri im, Biblioteka jonë” fton të gjithë qytetarët t’i bashkëngjiten, duke dhuruar një libër në shkollën ku kanë përfunduar mësimet, shkollën më të afërt, shkollën ku ndjekin mësimet fëmijët tuaj, apo në secilën shkollë tjetër të mesme në vend