Presidenti i Republikës Bujar Nishani: Xhafaj i papërshtatshëm, por nuk ma lejon Kushtetuta ta refuzoj

19.03.2017 18:34:18

Presidenti i Republikës Bujar Nishani, në një dalje për mediat deklaroi se nëse do të kishte fuqi kushtetuese nuk do ta pranonte Fatmir Xhafajn si ministër të Brendshëm. Ai përmendi problemet në Policinë e Shtetit. Sipas tij, ka një politizim të skajshëm në Policinë e Shtetit. Ai i bëri thirrje Ministrisë së Brendshme dhe policisë që të bëjnë detyrën në mbrojtje të interesave të qytetarëve.

“Procesi i shkarkimit dhe emërimit të ministrave të rinj ka një specifikë të veçantë

Jemi në një situatë politike shumë të tensionuar, opozita është jashtë parlamentit, është në një protestë publike dhe njëkohësisht polarizimi i shoqërisë është mjaft i theksuar, çka e ngarkon dhe më shumë situatën.

Së dyti jemi në prag të nisjes së fushatës dhe kjo situatë politike nuk e ndihmon procesin.

Më e veçanta e kësaj specifike është te ministria e Brendshme. Së pari, për fat të keq së fundmi është vënë re një politizim i skajshëm i Policisë së Shtetit, çka ndikon në fushatën zgjedhore.

Konstatimi i grupeve kriminale me politikën, E gjithë kjo situatë kërkon një vëmendje të madhe, kryesisht te Ministria e Brendshme, sepse së pari ajo ka një rol kryesor në procesin zgjedhor. Policia e Shtetit ka përgjegjësinë për ruajtjen e rendit dhe sigurisë.

Këto na detyrojnë që në këto momente për emërimin e një ministri të ri, të kemi parasysh rëndësinë që ka kjo ministri.

Në vlerësimin tim kandidatura e ministrit të Brendshëm është e papërshtatshme, por Kushtetuta nuk ia jep të drejtën Presidentit për të refuzuar një kandidaturë për ministër, pasi i vetmi kusht që kërkon, është ai i plotësimit të të qenit deputet. Nëse do të ma jepte të drejtën Kushtetuta, unë do ta refuzoja kandidaturën e ministrit të Brendshëm”, deklaroi Nishani.