Nisin dorëheqjet e para nga kabineti i minsitrave teknikë

04.07.2017 16:03:15

Me përfundimin e zgjedhjeve në Shqipëri dhe me certifikimin e rezultatit që pritet të ndodhë për pak ditë, nisin dorëheqjen e kabinetit të ministrave teknikë.

Në Ministrinë e Punëve të brendshme këtë të martë kanë dhënë dorëheqjen këshilltarët e ministrit Dritan Demiraj, Aleks Hajdari dhe Muhamet Rrumbullaku

Shqipëria i kaloi zgjedhjet e 25 qershorit 2017, jo me qeveri teknike por me 6 ministra teknikë të propozuar nga Partia Demokratike, e cila mbeti sërish në opozitë. Ishte një marrëveshje politike e arritur mes kryeministrit Edi Rama dhe liderit të opozitës Lulzim Basha ajo që çoi në ofrimin e ministrave teknikë si garanci kjo për një proces të lirë dhe të ndershëm të zgjedhjeve në Shqipëri.

Me mbarimin e zgjedhjeve dhe certifikimin e rezultatit final (i cili është drejt fundit), kanë nisur edhe dorëheqjet e para nga radhët e stafit që ministrat teknikë morën krah vetes. Ndërkohë vetë ministrat pritet të dorëhiqen pas hartimit të një raporti përfundimtar me konstatimet e tyre për ecurinë e procesit zgjedhor në vend.

Vetë ministrat teknikë kanë deklaruar më herët se do të qëndrojnë në detyrë deri në muajin shtator, kur të formohet qeveria e re…por duket se ata nuk do të zgjasin për shumë kohë.

Partia Socialiste fitoi zgjedhjet e 25 qershorit duke marrë 74 mandate deputetësh, që i japin asaj mundësinë të qeverisë e vetme pa pasur nevojë për koalicione.