Nisma ende nuk është përcaktuar për koalicionin për balotazh

06.12.2016 12:13:45

“Nisma për Kosovën” nuk është përcaktuar ende nëse do të ftojë për koalicion ndonjërën nga partitë që u radhitën pas kandidatit të saj, Isa Xhemajlajt. Vetë Xhemajlaj ka theksuar se ai është i afërt me të gjithë.

“Unë edhe në debate e kam thënë se jam më i afërt me të gjithë aty. Jam një njeri që i përfaqësoj të gjithë qytetarët dhe jam i njëjtë dhe i barabartë me të gjithë. I kam të gjithë njësoj, nuk e kam dikë më afër, dikë më larg. Gjatë tërë jetës kam bërë kështu”, ka thënë Xhemajlaj, duke mos treguar nëse do të kërkojë mbështetjen e LDK-së, të AKR-së apo edhe të kandidatit të pavarur Xhavit Drenori, shkruan “Zeri.info”.

Ndërsa kryetari i “Nismës”, Fatmir Limaj, ka thënë se Drenasi është shembull për vazhdimin e bashkëpunimit, porse nuk ka treguar se me cilën parti do të bashkëpunojë në balotazh, kundër kandidatit nga PDK-ja, Ramiz Lladrovcit.

“Siç e dini deputetët dhe njerëzit nga Aleanca na kanë dhënë mbështetje edhe në terren, por gjithashtu e shfrytëzoj rastin t’ia shpreh mirënjohjen time edhe kryetarit të Degës, Zeqir Kiqina, me të gjitha strukturat atje, të cilët kanë qëndruar afër kandidatit tonë dhe kjo tregon se ‘Nisma’ dhe Aleanca kanë një bashkëpunim të sinqertë. Drenasi është një shembull që ne do të vazhdojmë bashkëpunimin tonë të mëtutjeshëm”, ka theksuar Limaj.