Një muaj paraburgim të dyshuarit për vrasjen në Babimovc

19.03.2018 15:02:27

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurit F.T, i dyshuar për vrasjen që ndodhi të shtunën në fshatin Babimovc të Obiliqit.
Ai dyshohet se në firmën “Apetit Group”, në rrethana ende të pasqaruara e ka privuar nga jeta tani të ndjerin A.K, derisa i njëjti kishte qenë duke punuar.

Kjo gjykatë njofton se i pandehuri F.T kishte shtënë me armë zjarri të cilën e mbante në mënyrë të paautorizuar, e kishte goditur një herë në pjesën e përparme në kraharorë tani të ndjerin A.K dhe kishte ikur nga vendi i ngjarjes, me ç’rast të njëjtit i kishte shkaktuar plagë të rënda trupore vdekjeprurëse dhe në QKUK në Prishtinë ishte konstatuar vdekja e tij.

Gjykata ka konstatuar se ekzistojnë rrethanat që tregojnë rrezikun se po të gjendej i pandehuri në liri mund të arratiset me qëllim të shmangjes nga përgjegjësia penale dhe kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit F.T është masë adekuate dhe e domosdoshme në këtë fazë të procedurës penale, për sigurimin e pranisë së të pandehurit në procedurë penale dhe zhvillimin e pa penguar të procedurës.

Pala ka të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën së Apelit.