Një pikë në milionë pika yjesh / Vargje nga Dije LOHAJ

14.08.2021 18:52:13
NJË PIKË NË MILONË PIKA YJESH
Kam kuptuar se duhet të jem
Në harmoni me shpirtin,
Me botën që më rrethon,
Dhe kërkova derisa
Vetja ime gjeti vetveten e saj
Dhe shpirtin e këputur
Me ngjyrë blu,
Me erëzjarr,
Mbuluar me lule varri.
Të trishta ishin netët e qullura nga shiu.
Pikturojnë mërzitjen,
Në pikën zero të universit,
Ngatërrohen yjet,
Ngatërrohem dhe unë
Mbi xhamin e pasqyrimit,
Ku shkreptin si vetëtimë vetvetja ime,
Bashkë me hënën në apogje…
Grisha ëndrrat në kolovajzë qiellore,
Nga palë e shtatë e universit,
Qielli edhe yjet i pagëzoi,
Edhe mua më pagëzoi,
Me emrin dashuri,
E milionë pikla yjesh vallëzojnë yjet,
E unë një pikëz më shumë,
Në sfondin e përndritjes së përjetshme.