Një “poker” kroatësh, Interi ëndërron nënkampionin e botës

01.08.2018 12:44:28

Është Luka Modric ëndrra e merkatos së Interit. Zikaltrit kanë arritur marrëveshjen paraprake me Bayernin për rikthimin në Serinë A të Arturo Vidal (huazim me të drejtë blerjeje), por para se të zyrtarizojnë kilianin dëshirojnë të bëjnë goditjen e madhe. Kanë nisur tashmë kontaktet me përfaqësuesit e kroatit, që nuk e ka përjashtuar largimin nga Reali i Madridit, për të nisur një aventurë të re.

Rruga për të mbërritur te 32-vjeçari është shumë e vështirë, por Interi kërkon ta provojë, sepse bëhet fjalë për një nënkampion bote me të dhëna të jashtëzakonshme teknike.

Modric, që do të mbushë 33-vjeç më 9 shtator, ka kontratë me Realin deri në vitin 2020. Pasi humbi Cristiano Ronaldon, president i “Los Blancos” vështirë të lejojë largimin e një tjetër xhevahiri.

Gjithsesi, Ausilio dhe drejtuesit e tjerë të Interit do të tentojnë të bindin futbollistin, që nuk i ka hedhur asnjëherë poshtë interesimet për të, përkundrazi, është shfaqur i hapur për bisedime.

Nuk duhet harruar fakti që tek Interi Luka Modric do të gjente një pjesë të mirë të Kroacisë: Brozovic, Perisic dhe të ardhurin e fundit, Vrsaljko.