Njëherë tërmeti e tani Coronavirusi. A rrezikon të mos zhvillohet “besëlidhja”?

24.02.2020 10:47:56

Disa ditë para se të ndodhte tërmeti i 26 nëntorit të vitit të kaluar që la pas shumë dëme, Presidenti i Republikës pati paralajmëruar qytetarët për një tubim në sheshin “Azem Hajdari”.

Pasi Shqipëria u godit nga tërmeti kjo thirrje u anulua dhe nuk u diskutua më për një datë tjetër. Por pasi situata e përplasjes mes Insitucionit të Presidentit dhe mazhorancës u përshkallëzua më tej, presidenti Meta disa ditë më parë bëri thirrjen e rradhës që qytetarët të dalin në shesh për atë që ai e cilësoi si “shpartallim” i grushtit të shtetit.

Grusht shteti që sipas Ilir Metës po organizohet nga mazhoranca, Parlamenti dhe KED-ja nëpërmjet drejtuesit të saj.

Tashmë e gjendur në kushtet e mobilizimit për mbrojtjen nga Coronavirusi, qeveria po harton masa për mbrojtjen e popullsisë civile. Ndaj ekziston mundësia që të ketë masa të shtuara edhe në kuadrin e organizimeve masive, njëjtë si ajo e paralajmëruar nga Presidenti.

Në këtë aspekt në orët dhe ditët në vijim mund të ketë masa ose vendime që ndalojnë edhe organizimet masive. Masë kjo që mund të shkaktojë edhe shtyrjen e datës së “besëlidhjes”.

Gjithsesi për këtë do të na duhet që të presim e të shohim se çfarë masash do të ndërmarrë qeveria.