Njeri i pavlerë, apo shoqëri me vlera aq të ulëta sa ta bëj një njeri të ndjehet i tillë?

21.04.2018 22:04:16

Nga: Thëllëzë Kastrati

Je ndjerë ndonjëherë i pavlerë? Aq i pavlerë sa nuk e meriton dashurinë, besimin, respektin e as vlerësimin e askujt?

Kur them askujt, nuk po mendoj për dikë në veçanti, sepse të gjithë ndonjëherë mund të ndjehemi se nuk meritojmë dashurinë, besimin, respektin e vlerësimin e një njeriu. Por të mendosh se nuk i meriton këto nga asnjë njeri në përgjithësi.

Ose jo ndonjëherë, më mirë të themi gjithmonë. A ndjehesh gjithmonë i pavlerë? Sikur nuk meriton që askush të të dojë, të ketë besim në ty, të të respektoj e të vlerësoj.

Ndoshta ti i përket asaj shumice të cilët as nuk arrijnë ta konceptojnë këtë ndjenjë. Kanë një familje që i dhuron dashuri të pakushtë, shoqëri me të cilën argëtohen, dhe jo të ndjehen por as nuk e imagjinojnë dot se në botë ekziston dikush që mund të ndjehet kështu me të vërtetë.

Teksa po mendoja për këtë temë rastësisht lexova një thënie të Frojdit, “Sa i guximshëm bëhet njeriu kur është i sigurtë se e duan!”, por sa i pagximshëm bëhet ai kur është i sigurtë se nuk e duan?!

Duket përsëri shprehje e vrazhdë, i sigurtë se nuk e duan. “I pavlerë”, “i padenjë për besimin, respektin e vlerësimin e të tjerëve”, “i sigurtë se nuk e duan”, të gjitha këto shprehje janë të vrazhda. Një jetë me këto ndjenja është edhe më e vrazhdë. Si mund të jetoj një njeri me këto mendime e ndjenja? Seriozisht, ku e gjen motivin?

Në të gjitha përpjekjet që unë bëj për të kuptuar një njeri të tillë, ajo që me të vërtet kuptoj është një shoqëri e pavlerë.  Për shkak se realisht nuk ka njerëz të pavlerë, por ka shoqëri me vlera aq të ulta sa ta bëjë një njeri të ndjehet i tillë.

E di çfarë kam parasysh kur them këtë? Po filloj nga të posalindurit, për të cilët vlersojmë sa i madh ose i vogël paska lindur, se si e kishte gjithë atë zë, ose me zor i dilte zëri për të qarë, se si i ka ngjarë njërit prind, por do të ishte më mirë ti ngjante tjetrit.  E di sa keq tingëllojnë këto? E vazhdon të përkeqësohet kur ne i edukojmë këta të posalindur me këtë frymë. Për shkak se i shëndrrojmë ato qenie të pafajshme në njerëz që nuk e pranojnë dot tjetrin ashtu si është, e refuzojnë, përqeshin, ngacmojnë, e keqpërdorin e keqtrajtojnë vetëm se është ndryshe. Me ndryshe mund ti referohemi çfarëdo ndryshimi sado të vogël si pamja, pesha, stili i të veshurit, duke vazhduar me aspektet si feja e kombësia e deri te paaftësitë apo çrregullimet fizike e mendore. E imagjinon dot se si një grup fëmijësh e refuzon, përqesh, ngacmon e keqtrajton një fëmijë tjetër vetëm për këto arsye?

E tani përpiqu ta imagjinosh veten në vend të këtij fëmije. Sikur në vend të kujtimeve të bukura që ke me shoqërinë tënde gjatë shkollës fillore e të mesme të ishe ai fëmija që e refuzojnë. Të fshiheshe dhe te shikoje me admirim të tjerët se si luanin e argëtoheshin së bashku, e të siguroheshe se nuk do të të shihnin sepse po të panë do të të përqeshnin e të ngacmonin. Me kalimin e kohës ti do të bëheshe fëmia që rri gjithmonë i vetmuar dhe frikësuar, dhe me shumë mundësi do të kishe ngecje dhe në mësime (ose të mësoje por të mos e merrje guximin të flisje asnjëherë për ato që di). Tani do të kishte edhe një arsye më shumë, dhe përqeshjet e ngacmimet do të shëndrroheshin në keqpërdorime e keqtrajtime. Tani imagjinoje se si përderisa e gjithë në shkollë të mesme po zhvillohen, madje kanë filluar dhe të krijojnë lidhje dashurie, je ti në anën tjetër që nuk mer dot as dashurinë shoqërore të të tjerëve. Që kthehesh përsëri i keqtrajtuar në shtëpi, në të njejtin vend ku janë vëllezërit apo motrat e tua, të cilët në sytë e tu janë secili më i sukseshëm se tjetri.

Po tani, do mendoje se nuk e meriton dashurinë, besimin, respektin e as vlerësimin e askujt. A do të ndjeheshe i pavlerë? Sa i paguximshëm do të ishe? Aq sa nuk do të kishe guxim për të jetuar?… E kupton tani si është të ndjehesh i pavlerë?

Shoqëria që të bëri të ndjeheshe i tillë përbëhet nga njerëz si ti dhe unë, dhe duhet të ndryshohet nga po këta njerëz. Ti mund të zgjedhësh ta ndryshosh veten, mund të përpiqesh të ndryshosh dhe të tjerët. Nëse vërtetë ke provuar ta shohësh veten në vend të këtyre njerëzve besoj se e ke kuptuar sa shumë rëndësi ka për ta.