Njeriu i Putinit, në Tiranë, për të mbështetur Ramën e vetmuar

27.09.2016 14:25:35

Ish kancelari gjerman Gerhard Shrëder, i cili skandalizoi Evropën dhe SHBA-të kur sapo u largua nga detyra, pranoi funksionin e zv/shefit të Gazpromm-it rus, konsiderohet sot si njeriu më i besuar i Putinit në dyert e kancelarive të BE-së. Ai është në Tiranë për të mbështetur shndërrimin e Shqipërisë në një qendër për pritjen e refugjatëve si dhe për t’i thënë Edvinit se s’është vetëm në tentativën e tij për ta shndërruar vendin në Kolumbinë e Evropës

Shefi i Gazprom-it rus për Europën, ish-kancelari i Gjermanisë Gerhard Shrëder ka mbërritur në Tiranë në një vizitë zyrtare. I ftuar personal i Edi Ramës dhe sponsor kryesor i tezës së shndërrimit të Shqipërisë dhe vendeve ish-komuniste në një bazë për pritjen e refugjatëve të Lindjes së Mesme, ish-kancelari gjerman është në Tiranë fiks për këtë lobing. Bën përshtypje se Shrëder është në Tiranë si përfaqësues i interesave të një gazsjellësi rival me TAP-in, dhe prej vitit 2008 është kundërshtar i flaktë i njohjes së pavarësisë së Kosovës nga vendet e BE-së, duke i kritikuar vendet evropiane që e kanë bërë një gjë të tillë si të detyruara nga presioni i SHBA-ve. Në konferencën “Sfidat ekonomike të migracionit dhe integrimit brenda projektit europian” ish-kancelari gjerman, Gerhard Shrëder, deklaroi publikisht se Evropa duhet t’i hapë dyert pa doganë. Për publikun evropian, aktualisht Shrëdër cilësohet si njeriu i Vladimir Putinit në dyert e institucioneve të BE-së. Për shumë vite zv/president i Gaspromm-it, funksion që e mori menjëherë sapo la zyrën e kancelarit (çka tmerroi gjithë opinionin publik në Bruksel), sot Shrëdër është president i bordit të Nord Stream AG, një gazsjellës i dëshiruar fort nga Putini dhe që bashkë me South Stream-in synonte të skllavëronte përfundimisht tregun e BE-së nga gazi i Siberisë.

Mysafiri i Putinit në Tiranë erdhi dje me mesazhe për pranimin e refugjatëve, për më shumë pavarësim nga politikat e SHBA-së, si dhe për forcimin e marrëdhënieve të BE-së me botën ruse. Kuptohet se në Shqipëri s’ka veshë për porosi të tilla, por bën përshtypje vetmia e Edvinit, i cili është i detyruar që në momentin e tij më të vështirë politik të bëjë make-up me njeriun më të deklaruar të Vladimir Putinit./gazeta55