Nuk dimë me kë të flasim”, Kurti i përgjigjet Ramës për hapjen e kufirit: Unë jam kryeministër

17.05.2020 00:42:15

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti në një konferencë për media, tha se vendimi për hapjen graduale të kufirit me shtetin e Shqipërisë do të jetë shkencore, e jo politike.

I pyetur për deklaratat e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama se nuk e di me kë të bisedojë në Kosovë për të filluar hapjen graduale të kufirit, shefi i ekzekutivit tha se ai është kryeministër në detyrë, dhe nuk ka dilema për këtë se kush e përfaqëson Kosovën.

“Unë nuk e kam parë atë emision, por ne jemi të interesuar se porsa të hapen sadopak kushtet ta bëjmë këtë hapje të kufirit, veçse ta dini që vendimet tona, nuk janë politike, nuk janë demokratike sa janë shkencore, sepse bazohen në rekomandimet e Institutit Kombëtarë të Shëndetësisë Publike. Unë jam kryeministër në detyrë, unë nuk kam dilema për këtë gjë, kush ka dilema duhet të pyeten ata. Dje kam takuar ambasadorin e Republikës së Shqipërisë, ku kemi biseduar për shumë gjëra, ndër të cilat edhe hapja e kufirit”, tha Kurti.

Dje, kryeministri Edi Rama është shprehur i gatshëm për koordinim me Kosovën për hapje të mundshme graduale të kufirit me mes dy vendeve, por tha se pret që të ketë koordinim të faktorëve politikë në Kosovë në mënyrë që edhe Tirana zyrtare ta dijë se me kë të flasë në Prishtinë.

Aktualisht Albin Kurti është kryeministër në detyrë i Kosovës, ndërkohë që Presidenti Thaçi ka mandatar Abdullah Hotin e LDK-së për krijimin e qeverisë së re.