Nuk lejojnë kthimin e serbit, e akuzojnë për pjesëmarrje në masakër

18.04.2017 07:37:14

Janë grumbulluar në një shtëpi të pameremetuar të një bashkëkombësi të tyre në Lubozhdë të Istogut 13 kryefamiljarë serbë, kryesisht të moshuar.

Ata janë kthyer në këtë fshat të Dukagjinit pasi që për kthimin e tyre kishte garantuar ministri për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës, Dalibor Jevtiq, i cili kishte biseduar me serbët e Lubozhdës të zhvendosur në Kragujevë dhe i kishte siguruar se nuk do të ketë probleme dhe se do të kenë siguri për të rifilluar jetën e tyre në fshatin prej nga ishin larguar në vitin 1999.

Shtëpia e Çedomir Simiqit në Lubozhdë, ku janë grumbulluar 13 kryefamiljarët serbë, nuk i plotëson kushtet elementare për jetë normale, por ata mbajnë shpresën se shtëpitë e tyre të shkatërruara gjatë luftës do të rindërtohen e pasi që të vendosen në to do t’i sjellin edhe anëtarët e tjerë të familjeve.

Pos kësaj, serbët ruhen 24 orë nga pjesëtarë të Policisë së Kosovës, si dhe nga KFOR-i. Ata kur dalin nga bodrumet e shtëpisë së pameremetuar të Çedomir Simiqit dhe shkojnë për të blerë artikuj të nevojshëm ushqimorë në qendër të fshatit rëndom përcillen nga pjesëtarë të Policisë së Kosovës