Numërohen shumica e kutive të votimit, PS drejt mandatit të tretë qeverisës, LSI zbret në 5 deputetë, PD rritje të ndjeshme, ja rezultatet në çdo qark

27.04.2021 10:17:48

Partia Socialiste duket se ka siguruar mandatin e tretë qeverisës. Ditën e djeshme është numëruar pjesa më e madhe kutive të votimit dhe rezulton se Partia Socialiste të jetë në krye, ndjekur nga PD dhe më pas nga LSI dhe PSD. Dita djeshme ka qenë e mbushur me shumë surpriza, pasi procesi i numrit ka ndryshuar vazhdimisht mandatet në zona të caktuara. Nga rezultatet e para PS u kuotua te 77 mandate në rang kombëtar, por që këto numra ndryshuan gjatë ditës dhe deri pak pas mesnatës së djeshme është kotuar në të njëjtat nivele. Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve deri pak pas mesnate, PS kotohej në mbi 48 për qind të votave në rang kombëtar, që e përkthyer në mandate është te rreth 73 mandate. Ndërkohë PD luhatet mes 59-60 mandate, në varësi të zonave. LSI pothuajse gjatë gjithë ditës ka pasur një trend të palëvizshëm, duke mbetur te 5 mandate në rang kombëtar. Ndërkohë PSD e Tom Doshit është luhatur mes 2 dhe 3 mandatesh. 1 e ka siguruar në Tiranë, ndërsa 2 në Shkodër, por mandati i dytë në Shkodër ka shëtitur te të gjitha partitë, pasi një herë e ka marrë PS, një herë PD dhe një herë PSD, çka do të thotë se rezultati mund të ndryshojë. Ndërkohë në këtë qark LSI mund të humbasë një mandat.

Numërimet sipas qarqeve

Tirana është padyshim qarku vendimtar sa i takon qeverisë së re dhe nga kutitë e numëruar deri pak pas mesnate, PS ka një vendosmëri në kryeqytet, pasi ruan nivelin e 18 mandateve, ndërsa PD është kuotuar në 15 mandate, LSI në 2 mandate dhe PSD në 1 mandat. Ndërkohë gjatë gjithë mbrëmjes ka pasur një luftë të fortë për mandatin e 19 të PS. Për shumë orë, PS nuk e ka marrë dot mandatin e 19 për shumë pak vota. Kjo do të thotë se derisa të mbarojë numërimi mund të ketë zhvillime nga Tirana. Sipas të dhënave të deritanishme, PS ka më shumë gjasë të marrë mandatin e19 sesa të humbë mandatin e 18. Në Shkodër PD ka qëndruar mes 5 dhe 6 mandate. PS ka zbritur në 3 mandate, LSI në 1 mandat dhe PSD në 2 mandate, por që mandati i dytë i PSD mund të merret dhe nga PD. Pra në Shkodër deri në fund do të ketë betejë për 1 mandat. Lezha është një qark ku rezultati u çimentua që paradite. PD ka marrë 4 mandate dhe PS 3 mandate. ndërsa LSI del me zero mandate. Gjasat që të ndryshojë ky rezultat janë të pakta. Kukësi nuk solli surpriza, pasi PD mori 2 mandate dhe PS mori 1 mandat. Gjirokastra është tjetër qark ku nuk priten ndryshime. PS ka marrë 3 mandate dhe PD ka 1 mandat. LSI ka dalë me zero mandate. fieri po ashtu kuotohet me 9 mandate për PS, 6 për PD dhe 1 për LSI. Në Berat PS ka 4 mandate, PD 2 mandate dhe LSI 3 mandate. në Vlorë PS merr 8 mandate, PD merr 4 mandate ndërsa LSI zero mandate.

Zonat ku “luftohet”

Sot pasdite pritet që të mbyllet numërimi i votave, por ka disa qarqe ku mund të përcaktojnë fatin e qeverisë së re. Dibra është një qark ku ka pasur “luftë” të madhe. Fillimisht ishte PS që mbante 3 mandate dhe PD 2 mandate, por kjo u përmbys. Partitë kanë pasur një diferencë për disa qindra votash dhe vetëm në fund do vendoset kush e mban mandatin e tretë. Korça sërish është një zonë beteje pasi PS mban 6 mandate dhe PD 5 mandate, ndërsa LSI lufton për 1 mandat. Po ashtu demokratët synojnë të marrin 1 mandat nga PS. Në Elbasan PS kuotohet te 8 mandate dhe PD te 6 mandate. PS ka luftuar fort për të marrë mandatin e 9 në këtë qark. Ndërkohë qarku që mund të vendosë nëse PS do të zbresë në 70-71 mandate është Durrësi. Ky qytet ka ecur me ritmin më të ngadaltë të numërimit. PS deri mbrëmë kuotohej në 8 mandate dhe PD në 6 mandate, por ka dhe shumë kuti për të votuar që mund të sjellin surpriza. LSI lufton për 1 mandat. Sipas ekspertëve zbritja e PS nën 71-72 mandate duket shumë e vështirë. Ndërkohë KQZ pret që sot pasdite të mbyllet numërimi dhe do vuloset gjithçka.

Rezultati në rang kombëtar

PS        48.84%, 73 mandate

PD-AN 39.42%, 59 mandate

LSI      6.86%  5 mandate

PSD     2.24%  3 mandate

NTH    0.63%  0 mandate

TË TJERË 2%