O’Connell: Demarkacioni çështje mes dy shteteve, le të bazohet në fakte

07.03.2017 18:01:13

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Prishtinë, Ruari O’Connell, ka thënë se demarkimi i kufirit të Kosovës me Malin e Zi është çështje bilaterale e këtyre dy shteteve, ndërkohë që ka thënë se kjo duhet të bëhet në bazë të fakteve, dhe jo të dëshirave.

O’Connell për dallim nga shumica e kolegëve të tij të Qunitit që kanë bërë thirrje që të votohet demarkacioni me Malin e Zi, ka qenë më i rezervuar.

Ai edhe në prononcimin për gazetametro.net, ka thënë se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, kështu që çështja e demarkimit të kufirit është çështje e dy shteteve.

Por, pavarësisht kësaj, sipas tij, përcaktimi i vijës kufitare, duhet bërë në bazë të fakteve, e jo dëshirave.

“Kosova është shtet i pavaruar dhe sovran. Andaj, çështja e ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi është çështje bilaterale në mes të Kosovës dhe Malit të Zi. Sidoqoftë, kjo duhet të bëhet në bazë të fakteve”, ka thënë ambasadori O’Connell.

Ndërkaq, ndonëse nuk ka qartësuar se për kë e ka fjalën, ai ka deklaruar se demarkimi i kufirit është një çështje se si është ai kufi, e jo si do të dëshironin njerëzit të ishte.

“Kjo është një pyetje se si është kufiri, e jo si do të dëshironin njerëzit ai të jetë”, ka shtuar ambasadori.

Ndërkohë, i pari i qeverisë, Isa Mustafa, ka paralajmëruar për këtë javë procedimin në Kuvend të marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi.

Në anën tjetër, kundërshtimi për këtë marrëveshje po vjen nga e gjithë opozita, por edhe nga disa deputetë të koalicionit qeveritar.

Po ashtu, edhe Lista Serbe ka bojkotuar institucionet, duke bërë kështu që koalicioni qeverisës të mos ketë votat e nevojshme për kalimin e kësaj marrëveshje.