Oh, sa na duhen fjalët, për të shkruar bukur letërsinë tonë

21.09.2018 08:24:32
Nga Mark Simoni

Kur qemë mbi shkretëtirë, piloti e uli aq shumë avionin sa mu bë se, tek kalonim mbi të, po ndjenim në shputat e këmbëve të nxehtin e ranishtës. Patjetër që ai e afroi fluturimin, që ne të mund të provonim emocionin e asaj bote të pafund dunash dhe rëre. Diku larg dallova një karvan të gjatë beduinësh, që, hipur mbi gamilet e tyre, iknin në krahun tjetër të shkretëtirës. Përherë beduinët më janë dukur se s’bëjnë gjë tjetër, veçse sillen atyre anësh dhe kërkojnë ujë, mbi ato hapsira të përzhitura zhegu. Më dukej se ua dalloja etjen e madhe dhe dëshirën e udhës drejt oazeve.
Bash një grishje të till kam parë e lexuar, tek shkrimtarët e mëdhenj të botës. Një etje të pafund për të ditur fjalë, (duke e kuptuar se pikërisht tek fjala fillon shenjtëria e mendimit dhe krijimit).
Sa nevojë kemi ne për fjalët. Dhe duhet t’i kërkojmë ato, si rekuizitieri që kërkon petkat në sepetet e vjetër, ashtu si udhëtoi përroskave e shpateve të Ballkanit Gustav Majeri për të bërë fjalorin e tij të famshëm. “Fjalët janë hyjnore, thotë John Keats (Xhon Kits), dhe bien prej parvazit të qiellit.”.
Vetëm po të vështrosh pak në oborrin letrar të Ballkanit, trandesh e mrekullohesh.
A nuk i kërkoi fjalët (si heshtje), Niko Kazanzaqis, tek Manastiret e murgjëve eremit në malin Artos? Po Ricosi, a nuk kishte lëngatën e madhe të dëshirës së pamundur (për tu thënë me fjalë), tek gruaja që lutej “Më ler të vi me ty!”?. Danillo Kish a nuk i solli botës gjuhën e të vdekurve me novelën e tij të mrekullueshme “Enciklopedia e vdekjes”? A nuk e tronditi botën e psikanalizës studimi i famshëm i Erich Fromit “Gjuha e harruar”?.
Oh, sa na duhen fjalët, për të shkruar bukur letërsinë tonë, për të artikuluar qartë mendimet, idetë dhe fantazinë, si dhe për të kuptuar çfarë shkruan e thanë ato që ndërtuan botën e fjalës.

(Në foto: Në fasadën e murit janë të shkruara frazologjizma, fjalë të zhargonit dhe metaforës, në të folmen e vjetër shkodrane, që jo rrallë përdoren dhe sot.)