OMK: Kur nuk ke sistem normal të drejtësisë, ndodhin edhe deklaratat si të Driton Talit

06.08.2017 18:29:23

Oda e Mjekëve të Kosovës (OMK) reagon ndaj deklaratës së ish-deputetit Driton Tali i cili mjekët i quajti kriminelë që do të duhej të burgoseshin në burgjet më të rënda.

“Përdorimi i një fjalori të tillë ofendues, shpifës dhe denigrues kundrejt shtresës më të shkolluar në shoqëri-mjekëve, do të thotë se kjo shoqëri paska deficit total te njerëzve intelektualë të rangut të lartë, siç konsiderohen mjekët kudo në botën e qytetëruar, por ata na qenkan kriminelë që duheshka të vuajnë burgjet ë Burrelit apo Goli Otokut.

E para, nëse z. Tali ka ndonjë pakënaqësi ndaj ndonjë mjeku, duhet ta denoncojë atë personalisht, me emër e mbiemër, e jo të fusë të gjithë mjekët në thesin e kriminelëve.

E dyta, është e papranueshme kur një laik i mjekësisë, pa pasur as njohurinë elementare të profesionit hyn dhe interpreton profesionalizmin e një mjeku. Nuk mund të jepet kritika profesionale vetëm nga percepcioni i jashtëm, por duhet te jesh profesionist i lëmisë, e sidomos jo kritika ndaj mjekësisë e cila është lëmi specifike dhe totalisht botë e panjohur për shumicën laike të popullatës. Ky lloj i reagimit në stilin : “hajde të them edhe unë diçka”, qoftë edhe pa fakte-me të gjitha normat është i dënueshëm.

E treta, është e pamundur që z. Tali personalisht dhe familja e tij të mos ketë kaluar nëpër duart e mjekut, sepse jeta është e tillë. A thua në ato momente ai e ka ndjerë veten si në duar të kriminelëve ?! Po lindjet e nipave dhe mbesave të z. Tali a kanë kaluar nëpër duar të kriminelëve ?!

Andaj, ne reagojmë me forcë ndaj kësaj deklaratë të pamatur, jonjerëzore, skandaloze dhe të dënueshme duke inkurajuar që të denoncohen më emër e mbiemër të gjithë që bëjnë shkelje eventuale, por në të njëjtën kohë kërkojmë të merren masa ndaj të gjithëve që fyerjen dhe denigrimin e njerëzve për rreth vetes e kanë bërë profesion, kurse z. Tali publikisht të kërkojë falje nga doktorët.

Deklaratat e tilla ndodhin vetëm për shkak të mosfunksionimit normal të sistemit të drejtësisë, ku secili për veprimet dhe deklaratat e veta do ta merrte dënimin e merituar”, thuhet në reagim. /