Operacion ndërkombëtar: Arrestohen 58 persona në Ballkan, përfshirë edhe Kosovën

07.02.2017 18:13:39

Operacion ndërkombëtar i koduar, “Ditët e Përbashkëta të veprimit, JAD 2017”, kundër trafikut të armëve të zjarrit.

Në operacion morën pjesë: Shqipëria, Belgjika, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Hungaria, Maqedonia, Greqia, Kosova, Mali i Zi, Holanda, Rumania, Serbia, Sllovenia, Spanja, Suedia, Zvicra, Britania e Madhe dhe SHBA (ATF – Byroja e Alkoolit, Duhanit, Armëve të Zjarrit dhe Eksplozivëve).

Nga data 27 deri më 29 Janar 2017, autoritetet ligjzbatuese nga 19 shtete së bashku me Frontex dhe Europol, u bashkuan në një operacion për të gjurmuar trafikun e armëve të zjarrit.

Gjatë një operacioni të përbashkët 3 ditor të koordinuar nga Qendra Operative e Europolit në Hagë, janë kryer kontrolle fizike, kryesisht në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Qendra Operative e Europolit, ka qenë dëshmitare e shkëmbimit të informacionit ndërmjet autoriteteve pjesëmarrëse, lidhur me kontrollet në pikat kufitare të personave dhe automjeteve si edhe të konfiskimeve e hetimeve të kryera. Afërsisht nga vendet pjesëmarrëse janë kontrolluar 246 000 subjekte, duke përfshirë 219 000 persona dhe 14 800 automjete.

Si rezultat i këtyre veprimeve, janë konfiskuar 48 armë zjarri si dhe 833 municione, 4 granata dore dhe rreth 500 gr. eksploziv plastik.

Gjithashtu në katër shtete është konfiskuar drogë e një sasie prej 505 kg e llojit marijuanë dhe 53 MDMA (substancë psikotropike), si edhe është parandaluar kontrabanda e mallrave të tjera si 765 pako cigare, duhan i pa përpunuar dhe një automjet i vjedhur.

Në total, janë arrestuar 58 persona në shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe janë ndaluar të hyjnë në pikat e kalimit kufitar 127 persona. Institucionet ligjzbatuese kanë identifikuar gjashtë përpjekje për hyrje klandestine, 12 raste të qëndrimeve përtej afatit kohor si dhe 8 raste të përpjekjeve të falsifikimit të vizave/dokumenteve.

Gjatë ditëve të veprimit, është shkëmbyer një sasi e konsiderueshme e informacionit në sajë të bashkëpunimit të shkëlqyeshëm ndërmjet vendeve pjesëmarrëse, Frontex-it dhe Europolit. Ekspertët e Europolit kanë ofruar në kohë reale shkëmbimin e informacionit, analizën dhe përpunimin e të dhënave të mbledhura.

Oficerët e vendosur në pikat e ndryshme kufitare në Ballkanin Perëndimor janë ndihmuar nga Frontex. Ky veprim ishte pjesë e operacionit “Ditët e Përbashkëta të Veprimit – të Ballkanit Perëndimor”, të planifikuara nën kuadrin e “EMPACT” për armët e zjarrit. /Lajmi.net/