Operacioni Forca e Ligjit nuk garanton siguri juridike në hetimin e aseteve kriminale

15.02.2020 15:50:25

Pas një fushate të gjatë prezantimi në shumë hapësira mediatike, por edhe në rrjetet sociale e gjetkë të asaj që vetë kryeministri e quajti Paketa “Anti KÇK” Këshilli i Ministrave ka miratuar tashmë një Akt Normativ për “MASAT PARANDALUESE NË KUADËR TË FORCIMIT TË LUFTËS KUNDËR TERRORIZMIT, KRIMIT TË ORGANIZUAR, KRIMEVE TË RËNDA DHE KONSOLIDIMIT TË RENDIT E SIGURISË PUBLIKE”.

Miratimi i këtij akti nga qeveria ka sjellë duhet thënë edhe ndryshimin e disa ligjeve dhe kodeve, me qëllimin për të mundësuar zbatimin efektiv të paketës “Anti KÇK”.

Për hir të së vërtetës ka akoma shumë aludime e konfuzion për mënyrën sesi është miratuar kjo paketë ndryshimesh, dhe përse nuk u miratua një ligj por një akt normativ.

Edhe pse qëllimi i miratimit të këtij akti sipas qeverisë është goditja e pasurisë dhe aseteve të krimit të organizuar, edhe pse qeveria kishte të gjitha mundësitë dhe mjetet për ta mirëplotësuar këtë akt, sërish duhet thënë që ai ka probleme dhe lë mjaft hapësira për t’u paragjykuar.

Nuk e dimë nëse kjo është një gjë e qëllimtë për të arritur qëllime të fshehura, apo është thjeshtë mosnjohje e teknikës legjislative në hartimin e një akti.

Gjithsesi ne do të interpretojmë nenet e aktit normative me syrin kritik ashtu siç janë të shkruara. Ndër të tjera parashikimet dispozitive të aktit lënë hapësira për të dyshuar se në vend të sekuestrimit të pasurive të krimit të organizuar, ky akt krijon hapësira e mundësi për të “pastruar” figurat e subjekteve të krimit të organizuar dhe madje edhe për të justifikuar pasuritë e paligjshme të tyre.

Këtë e themi bazuar në parashikimin e nenit 18 të aktit. Ky nen shprehet si më poshtë vijon:

  1. Për personat e parashikuar në nenin 16, në rast se nga verifikimet paraprake të cilat çojnë në dyshimin e arsyeshëm bazuar në elemente të faktit rezulton se posedojnë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, pasuri, të drejta ose veprimtari ekonomike, tërësisht ose pjesërisht të pajustifikuara në raport me nivelin e të ardhurave ose fitimeve që rrjedhin nga veprimtaritë e ligjshme të deklaruara sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi, OFL-ja kërkon paraqitjen nga ana e subjekteve, brenda 48 orëve të deklarimit në formën e një vetëdeklarimi në lidhje me:
  2. a) burimet e ligjshme të sigurimit të pasurive; b) shkakun e posedimit dhe përcaktimin e masës të së drejtës apo interesit të ligjshëm që gëzon mbi pasuritë, objekt shqyrtimi; c) sqarimin e mënyrës së fitimit të pasurisë (në veçanti burimin e të ardhurave në rast shitblerjeje); ç) përcaktimin nëse pasuria ka bashkëpronarë ose është në përdorim të të tretëve apo këta përfitojnë prej saj në një mënyrë tjetër; d) të ardhurat e ligjshme vjetore; dh) çdo informacion tjetër lidhur me pasurinë.

Tani nisur edhe nga mënyra sesi është krijuar OFL-ja, por gjithashtu edhe nga fakti se është në drejtim politik duke qenë se pra drejtohet nga Drejtori i Policisë, atëherë kjo dispozitë lë hapësirë që nëse do eprori i OFL-së atëherë dosja e hetimit të mos shkojë fare në prokurori.

Gjithashtu vijon neni 18 me një tjetër paragraf, ku parashikon edhe  plotfuqinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë për të referuar ose jo dosjen e subjektit në prokurori.

  1. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, me kërkesë të OFL-së, i referon prokurorit, në mënyrë të arsyetuar, çështjen sipas pikës 1, si dhe i kërkon paraqitjen në gjykatë të kërkesës për marrjen e masës së sekuestros.

Kjo tezë ngrihet pra nisur nga mënyra urgjente me të cilën u miratua ky akt, po aq edhe me faktin e “brishtësisë” dhe përdorimit të insitucioneve tona.

Aq më tepër kur krerët e insitucioneve emërohen në mënyrë politike.