Operacioni “Last call”/ Si ranë në pranga tre shqiptarët e kërkuar nga Interpol Roma

03.12.2019 11:28:24

Finalizohet operacioni policor i koduar “Last call”. Në kuadër të këtij operacioni janë kapur dhe arrestuar me qëllim ekstradimi drejt Italisë, tre shtetas shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Në Berat u kap shtetasi shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar me inicialet G. B., 31 vjeç. Gjykata e Arezzos në Itali ka lëshuar ndaj këtij shtetasi urdhër-arresti ndërkombëtar për kryerjen e veprës penale “Trafikimi i narkotikëve, kryer në bashkëpunim, në mënyrë të përsëritur”.

Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë nga periudha 01.12.2017 deri 24.06.2018 është i përfshirë në trafikimin e lëndës narkotike, kryesisht të llojit kokainë.

Në qershor 2018, ky shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë kishte marrë 139 doza me lëndë narkotike kokainë, me qëllim për ta shpërndarë në qytetin e Arezzos.

Në Elbasan u kap dhe arrestu shtetasin shqiptar Dritan Kllogjeri. Gjykata e Firences e ka dënuar këtë shtetas me 5 vjet burg për veprën penale “Krime seksuale”. Ky shtetas nga viti 2007 deri në 2012, në Firenzuola dhe Firenze e ka detyruar duke e kërcënuar dhe rrahur ish-gruan e tij për të kryer marrëdhënie seksuale.

I treti i arrestuar me qëllim ekstradimi është shtetasi Ernest Nasi, i njohur edhe me mbiemrin Kaçi, banues në Tiranë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim në 19 nëntor 2019. Autoritetet gjyqësore italiane kanë lëshuar urdhër-arresti më datë 28 tetor 2019, pasi Gjykata e Sienas, Itali e ka dënuar këtë shtetas me 12 vite burg për veprat penale “Vjedhja me dhunë” dhe “Mbajtja e sendeve të vjedhura”.