Operatorët turistikë kërkesë Ramës: S’kemi punonjës të trajnuar, lehtëso procedurat t’i rekrutojmë nga jashtë

03.09.2020 23:14:31

Operatorët turistikë Vlorë i kanë drejtuar një kërkesë kryeministrit Rama, për lehtësimin e procedurave për rekrutimin e punonjësve të huaj, me argumentin se vend mundojnë ato të kualifikuar dhe të trajnuar.

Sipas tyre, edhe pse tashmë ka kaluar piku i sezonit turistik, sërish ka një kërkesë të konsiderueshme për staf.

“Nëse nuk zgjidhet ky ngërç për ne është e pamundur të ngremë në standardet e duhura shërbimin”, thuhet në kërkesën drejtuar Ramës.

Kërkesa e plotë:

Pavarësisht situatës së Coronavirusit ky sezon turistik tregoi sërish  problemet me të cilat përballet sektorin turistik! Mes tyre edhe mungesa  e tregut të kualifikuar të punës. Ndaj, ne operatorët turistik kërkojmë krijimin  e kushteve të përshtatshme për rektrutimin e punonjësve të huaj të trajnuar dhe kualifikuar! Edhe pse ka kaluar pjesa e pikut te sezonit turistik ende një pjesë e konsiderueshme e jona është  duke kërkuar staf për të përmbushur  nevojat. Pavarësisht bashkëpunimit tonë  me zyrat rajonale të punësimit oferta është më e ulët se kërkesa ndaj do të ishte e udhës lehtësimi i procedurave për punësimin e shtetasve të huaj nga vende të rajonit dhe jo vetëm.

Nëse nuk zgjidhet ky ngërç për ne është e pamundur të ngremë në standardet e duhura shërbimin.