Opozita: Buxheti është elektoral, nuk do ta votojmë

17.12.2016 11:23:58

Subjektet opozitare bëjnë me dije se nuk do ta votojnë projektbuxhetin për vitin 2017. Deputetja e “Vetëvendosjes”, Shqipe Pantina, ka thënë se ky subjekt politik nuk e voton këtë projektbuxhet.

As Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk do ta mbështesë projektbuxhetin për vitin 2017, pasi e konsideron buxhet elektoral.

“Projektbuxheti, sipas Grupit Parlamentar të AAK-së, është buxhet elektoral për vitin e ardhshëm. Ndërsa buxheti real do të ishte 1 miliard e 725 milionë, por këta po mendojnë të marrin para edhe nga Trusti, nga AKP-ja dhe kredi, por ato nuk janë kategori buxhetore. Ne nuk e votojmë këtë buxhet sepse nuk është buxhet për zhvillim ekonomik e krijim të vendeve të reja të punës, por është buxhet elektoral”, ka potencuar deputeti i AAK-së, Bali Muharremaj.

Ndërkohë analisti, Blerim Burjani, ka thënë se buxheti mund të shkaktojë përçarje ndërmjet partnerëve të koalicionit, megjithatë ai ka thënë se beson që do të arrihet një konsensus në mes të PDK-së dhe LDK-së.

“Në rast se nuk ka pajtueshmëri në mes të partnerëve të koalicionit për çështjen e buxhetit sigurisht se do të ketë zgjedhje të parakohshme. Megjithatë, unë besoj që do të ketë marrëveshje në mes të partnerëve. Edhe në të kaluarën ka pasur raste kur deri në çastet e fundit nuk është ditur nëse do të kalojë buxheti, por në fund partnerët e koalicionit kanë arritur konsensus dhe ka kaluar buxheti, prandaj mendoj që edhe këtë herë mund të ndodhë kështu”, ka vlerësuar Burjani.