Opozita kërkon ndërprerjen e dialogut, akuzon pushtetin për mostransparencë

03.02.2017 11:49:15

Takimi i mbrëmshëm mes Thaçit e Mustafës dhe Vuçiqit e Nikoliqit, si dhe mungesa e informacioneve se çfarë është diskutuar në këtë takim, ka nxitur reagimin e opozitës kosovare.

Zyrtarë nga Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, kanë shprehur dilemat e tyre në lidhje me temat e diskutuara dhe me mostransparencën në takimin e mbrëmshëm, shkruan lajmi.net

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Shkodran Hoti ka deklaruar se jotransparenca nga takimi i fundit mes Kosovës dhe Serbisë është një vazhdimësi, pasi sipas tij ky problem e ka përfshirë gjithë aktivitetin politik të pushtetit.

“Mostransparenca në negociata nuk është diçka e re pasi ne kemi parë edhe në raundet e kaluara të dialogut, ku Thaçi dhe Mustafa nuk kanë treguar dhe nuk kanë raportuar në lidhje me atë se çfarë është diskutuar në Bruksel, përveç kur i kemi parë dëmet e shkaktuara. Edhe ky raund po kalon në të njejtën frymë”, deklaroi zëdhënësi i Vetëvendosjes për lajmi.net

Ai e ka përsëritur edhe njëherë qëndrimin e partisë që dialogu duhet të ndërprehet pasi ai pretendon se është i pabarabartë.

“Vetëvendosje tashmë e ka bërë të qartë qëndrimin disa herë, ky dialog duhet të ndërpritet për faktin e parë se qysh në fillim është i pabarabartë dhe i padrejtë, dhe qysh në fillim është dialog pa kushte dhe pa parime. Kosova në këto negociata më shumë ka qenë temë sesa palë”, u shpreh Shkodran Hoti.

Të pakuptimtë vazhdimin e këtij dialogu e ka quajtur edhe deputetja nga radhët e AAK-së, Time Kadriaj e cila ka deklaruar se qëllimi i këtyre negociatave nuk po realizohet.

“Aleanca ka kohë që ka kërkuar të ndërprehen bisedimet dhe të formohet një strategji tjetër, sepse kur kanë filluar këto bisedime çështja ka qenë normalizimi i raporteve, dhe në fund njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia. Qëllimi i këtyre negociatave nuk po arrihet, pasi është Serbia e cila nuk po kontribuon në normalizim, dhe larg asaj ta njoh pavarësinë”, u shpreh deputetja për lajmi.net

Më i ashpër në raport me bisedimet ishte deputeti i Nismës për Kosovën, Zafir Berisha i cili akuzoi presidentin Thaçi dhe kryeministrin Mustafa, për efektet e pakta nga ky dialog me Serbinë.

“Takimi me krerët e një shteti kriminal, dhe mostransparenca në ato takime natyrisht se na bënë të dyshojmë në misionin e Hashimit dhe Isës drejt defunksionalizimit të shtetit dhe copëtimit të saj”, u shpreh për lajmi.net deputeti Berisha.

Ai i komentoi edhe deklaratat e Nikolicit i cili tha se në bisedime nuk do të flitet për njohjen e Kosovës, duke e akuzuar presidentin e Serbisë për kryerjen e krimeve në Kosovë.

“Kosova me qenë shtet normal ndaj Nikolicit duhet të ngrit aktakuzë për krime që ka bërë në Kosovë dhe për vet faktin që këto bisedime janë duke ndodhur me një kriminel natyrisht se nuk pritet prej Serbisë ndonjë hap logjik në drejtim të shtetit të ri të Kosovës”, ka thënë Zafir Berisha.

Takimi ndërmjet Hashim Thaçit e Isa Mustafës, dhe Aleksandr Vuçiq eTomislav Nikolic, përfundoi mbrëmë në orët e vona, por që deri më tani nuk ka pasur ndonjë njoftim për temat e diskutuara.

Madje burimet të Deutche Welle, kanë deklaruar se takimi i mbrëmshëm ishte “i tmerrshëm”.