Opozita “zhvendos” protestën te ambasada në Greqi, emigrantët: Rama ik! (FOTO)

10.03.2019 15:41:12

Një grup prej rreth 30-40 emigrantësh shqiptarë që jetojnë në Greqi, po protestojnë jashtë ambasadës shqiptare në Athinë, për të kërkuar largimin e asaj që quajnë qeveria e krimit dhe drogës.

Protestuesit janë anëtarë të Partisë Demokratike dhe të LSI. Protestuesit hedhin parulla kundër qeverise, dhe kërkojnë rrëzimin e qeverisë Rama.

Nën thirrjet “Rama ik”, anëtarët e opozitës në mërgim, kërkojnë largimi e kryeministrit dhe qeveri tranzitore në Shqipëri.

Kryetari i degës së PD në Greqi, Fatmir Gjoci dhe protestues të tjerë u shprehën se kjo qeveri ua ka nxirë faqen shqiptarëve në emigracion me imazhin e kanabizimit dhe të kryeministrit që përkrah kriminelët dhe ka ardhur në pushtet me blerjen e votave nga krimi.

Protestuesit para Ambasadës shqiptare në Athinë u bënë thirrje bashkëatdhetarëve të tyre të vijnë në Tiranë në 16 Mars për t’u bashkuar me opozitën në protestën para kryeministrisë.

Me parullën “nuk na turpëron Shqipëria, por na turpëron qeveria, emigrantët shqiptarë më Greqi thanë se është detyrim i çdo shqiptari të çlirojë vendin e lindjes nga qeveria më antikombëtare që ka patur Shqipëria në këto 3 dekada.

Pavarësisht numrit të vogël të tyre, protestuesit janë mbajtur në distancë prej forcave të policisë që ndodhen në zonë.