OSHEE: Investimet smart, nga telekomandimi i kabinave, deri te karta me parapagim

11.11.2016 19:24:32

Për të dytin vit radhazi, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, OSHEE, ka prezantuar në forumin ndërkombëtar “Smart Balkan Forum”, bilancin e projekteve inovatore, në fushën e teknologjisë.

Gjatë fjalës së saj, drejtoresha e kabinetit të Administratorit të OSHEE, Albana Ferraj, renditi disa prej projekteve në fushën e teknologjisë, që u vunë në zbatim gjatë vitit 2015 dhe në vazhdim, si dhe të tjerë inovacione që kompania OSHEE do të realizojë brenda vitit 2017.

“Në fillim, liberalizuam më tej tregun e pagesave të faturave të energjisë elektrike, në 3-mujorin e parë të reformës. Nga 17 mijë pagesa të faturave nga kanalet alternative, si sportelet Exchange, kompanitë celulare, apo transferta parash,  sot, pas më shumë se një viti, realizohen mbi 200 mijë pagesa në muaj.  ”, tha znj.Ferraj.

 

Në pjesën e shitjes dhe kontrollit të energjisë, kompania OSHEE po punon per implementimin e sistemit të ri, Billing system, që ka të bëjë me marrëdhënien me klientin, faturim/arkëtim. Ky investim  po realizohet në bashkëpunim me një projekt të Bankës Botërore në kuadër të rimëkëmbjes së sektorit energjetik, dhe synohet që sistemi i ri jetë operativ brenda vitit 2017. P

Këto ditë pritet të nisë fushata kombëtare e përditësimit të të dhënave, për 1.2 milionë kontrata që OSHEE ka me abonentët e saj. Qëllimi kryesor është saktësimi i të dhënave të klientit, në mënyrë që ne jemi më operativ në zgjidhjen e çështjeve/ankesave, projekt që përfundon në prill të vitit 2017.

Tjetër projekt me rëndësi për OSHEE në fushën e SMART GRID, është telekomandimi në distancë i kabinave, në raste avarish. “Kjo do të sjellë padyshim ulje të kohës së riparimit të defektit, eficencë ne menaxhimin e rrjetit të shpërndarjes brenda një kohe të shkurtër. Projekti pilot do të nisë në Tiranë, Durrës dhe Vlorë, dhe janë përzgjedhur rreth 90 kabina, të cilat do të jenë me elementë të sigurisë dhe automatike”, saktësoi Ferraj

Kompania sapo ka përfunduar ndërtimin e një aplikacioni, OSHEE Mobile. Ai tashmë është aktiv, mund ta shkarkojë çdo kush nga telefonat smart, dhe aty do të gjeni me lehtësi çfarë do informacioni që ju nevojitet si dhe pagesën e faturës.