Osmani: Stafi mjekësor meriton rritje të pagave

04.02.2020 16:21:02

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani gjatë një vizite që i bëri sot Klinikës së Neonatologjisë në QKUK, theksoi se stafi mjekësor meriton rritje të pagave.

Ajo ka folur edhe rreth pezullimit të Ligjit të pagave, duke thënë se institucioneve të larta shtetërore nuk iu lejohet të ndërhyjnë në këtë proces derisa të merret vendimi i Kushtetueses.

Osmani tha se pavarësisht se çka ndodh me ligjin për paga, nëse ai do të hartohet nga fillimi apo do të merren vetëm me dispozita të caktuara të ligjit, punëtorët shëndetësorë meritojnë trajtim më të mirë, transmeton lajmi.net.

“Sa i përket Ligjit për paga, siç e dini, ai për momentin është në Gjykatën Kushtetuese. Kushtetuta nuk lejon as Qeverinë e Kosovës, as neve si Kuvend të ndërhyjmë në atë proces derisa të kemi vendim nga gjykata dhe ai vendim siç jemi njoftuar pritet në mars, sepse deri në mars është pezulluar hyrja në fuqi. Ajo çka dua të them është se sikur në kohen kur ka ardhur ligji për pagat në Kuvendin e Kosovës, por edhe sot e kam arsyetuar së bashku me kolegë të tjerë deputetë që janë edhe mjekë me profesion, që mjekët, infermierët, stafi mjekësor, absolutisht meritojnë rritje të pagave. Mënyra se si janë trajtuar deri tani ka qenë e padinjitetshme dhe shpresoj shumë që pavarësisht se çka ndodh me ligjin, a duhet ta hartojmë nga fillimi apo vetëm duhet të merremi me dispozita të caktuara të atij ligji, mjekët, infermierët dhe gjithë punëtorët shëndetësorë meritojnë trajtim tepër më të mirë se sa e kanë p as deri tani, duke e pasur parasysh se kanë profesionin më të shenjtë dhe më të rëndësishëm atë të mbrojtjes së jetës”, u shpreh Osmani.

Ndryshe vendimi për pezullimin e përkohshëm të ligjit të pagave është marrë nga Gjykata Kushtetuese me kërkesë të Avokatit të Popullit, pas 35 ankesave për këtë ligj, në kohëzgjatje deri më 30 mars 2020.