Osmani: Sundimi i ligjit parakusht për zhvillim ekonomik dhe mirëqenie

11.02.2020 20:45:34

Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar sot shefin e misionit të EULEX-it në Kosovë, Lars-Gunnar Wigemark, i cili e uroi Osmanin për detyrën e re në krye të Kuvendit.

Gjatë këtij takimi, kryetarja e Kuvendit i dëshiroi mirëseardhje shefit të ri të EULEX-it, dhe tha se do tw garantoj bashkëpunim për çështje të cilat janë në përgjegjësi të Kuvendit dhe EULEX-it.

Osmani, theksoi se forcimi i sundimit të ligjit, si parakusht për zhvillim ekonomik dhe mirëqenie, do të jetë një ndër prioritetet e institucioneve të Kosovës.

Ajo tha se fokusi i institucioneve të vendit do të jetë i orientuar kryesisht drejt zhvillimit të kapitalit njerëzor.

Në anën tjetër, Wigemark u pajtua plotësisht që sundimi i ligjit duhet të jetë prioritet në Kosovë.

Duke përmendur metodologjinë e re të zgjerimit të Komisionit Europian, e cila e vendos sundimin e ligjit si element themelor për integrimin europian të Ballkanit Perëndimor, Wigemark shprehu vullnetin për të forcuar bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe EULEX-it në funksion të këtij qëllimi.​