Osmani tregon se çfarë do të përmbajë Reozluta e propozuar për Demarkacionin

06.10.2016 11:32:43

Demarkacioni me Malin e Zi vazhdon të mbetet problem i pazgjidhur në vend, përkundër disa përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje.

Pozitë e opozitë vazhdojnë të jenë në dy pole të kundërta përkitazi me këtë temë. Por, pavarësisht kësaj, Arben Gashi dhe Vjosa Osmani – deputetë të partisë në koalicion, Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) – kanë ofruar një alternativë për këtë temë.

Sipas tyre, subjektet politike mund të arrijnë marrëveshje me të cilën e shprehin vullnetin e tyre për ta zgjidhur problematikën e demarkacionit brenda disa muajsh, dhe që kjo marrëveshje të shndërrohet në rezolutë të Kuvendit – në mënyrë që institucionet e Bashkimit Evropian të votojnë për liberalizimin e vizave pasi të ratifikohet Demarkacioni.

Deputetja Osmani, ka sqaruar se çfarë kanë paraparë të përmbajë një rezolutë e tillë.

“Ajo që kemi thënë dje në Komisionin për Integrim është veç një pjesë e ideve që kemi paraqitur gjatë takimeve që kishim në Berlin dhe në Bruksel. Është kërkuar të diskutohet për ide të reja, se si të dilet nga situata e tanishme, në mënyrë që mos të bllokohet liberalizimi i vizave dhe që Kosova të vendoset në agjendën e Parlamentit Evropian dhe të Këshillit – kur votohet për heqje të vizave”, ka thënë Osmani.

Ajo ka shtuar se atë që e ka thënë dje është që çdo procesi duhet t’i paraprijë një lloj pajtimi i partive parlamentare, rreth rrugës që duhet të ndiqet, dhe se shumica e krizave politike në vend kanë përfunduar nëpërmjet miratimit të rezolutave në Kuvend.

Osmani ka treguar se një rezolutë e tillë do të përmbante disa pika të cilat do të çojnë drejt një zgjidhje të duhur për çështjen e Demarkacionit me Malin e Zi.

“Është propozuar që të gjitha forcat politike të negociojnë tekstin e një Rezolute dhe ta përkrahin me vote. Një Rezolutë e tillë do të përmbante: Përkushtimin që procesi i demarkacionit me Malin e Zi të përfundojë sa më shpejtë; të caktohet afati brenda të cilit do të rinegociohej me këtë shtet; të përcaktohet afati për zgjidhje të tjera alternative (p.sh arbitrazh, nëse rinegociimi nuk ka sukses); dhe, të rikonfirmohej përkushtimi që të arrihet marrëveshje në mirëbesim duke ruajtur raportet e fqinjësisë së mirë”, u shpreh Osmani.

Ajo ka theksuar më pas se rezoluta jo domosdoshmërisht duhet të kufizohet në këto çështje dhe se teksti i saj do të varet nga pajtimi që arrijnë partitë politike.

“Kjo do të ketë efekt të dyfishtë: një, do të arrijë të bëjë bashkë të gjitha partitë politike, qeveri e opozitë; dhe në dy, do të arrijë të prodhojë një dokument të cilin do t’a ketë BE-ja para se të votohet për vizat”, theksoi Osmani.

Deputetja e cila edhe më parë kishte thënë se do të votonte kundër demarkacionit në këtë version, ka shtuar se hapi tjetër i kësaj rezolute do të ishte votimi i kushtëzuar në Parlamentin Evropian dhe në Këshillin e Ministrave sa i përket vizave.