Pacolli flet pas arrestimit të personit i cili e kërcënoi se t’ia rrëmbente dhe digjte për së gjalli fëmijët

03.05.2020 13:19:18

Gjatë ditës së sotme është arrestuar një person pasi që dyshohet se kërcënoi Behgjet Pacollin me rrëmbimin e fëmijëve të tij.

Policia e Kosovës gjatë ditës së sotme ka arrestuar një person me inicialet E.H., i cili dyshohet se e kishte kërcënuar kreun e AKR-së, Behgjet Pacollin se t’ia rrëmbente dhe digjte për së gjalli fëmijët, shkruan lajmi.net.

Pas arrestimit të tij, ka reaguar vetë Pacolli, duke thënë se, fëmijët dhe familja janë të shenjtë.

Ai po ashtu ka bërë të ditur se do të përdor të gjithë instrumentet ligjorë që t’i ndjek penalisht personat e tillë pasi që siç është shprehur ai, në këtë mënyrë shpreson që t’i kontribuoj tërë shoqërisë që siç thotë Pacolli, “është e ngopur me dhunë, kërcënime e frikësime”.

Postimi i plotë i Pacollit, pa ndërhyrje:

Familja është vlera më e madhe e shoqërisë. Fëmijët janë të shenjtë për secilin prej nesh andaj t’u japim dashuri sa më shumë që mundemi.

Shoqëria jonë duhet të ketë kujdes dhe të mos tejkalojë limitet e respektit ndaj familjes e veqanërisht ndaj fëmijëve.

Nga ana tjetër unë asnjëherë nuk do ta lejoj askënd që mllefin e tij personal ta shpreh duke më kërcënuar familjen, e fëmijët e mi.

Do përdori të gjithë instrumentet ligjorë që ti ndjek këta persona duke shpresuar që në këtë mënyrë i kontribuoj tërë shoqërisë e cila është e ngopur me dhunë, kërcënime e frikësime.