Pacolli kërkon që Kosova të pranohet në Kartën e Adriatikut

23.09.2017 17:06:05

Pacolli ka thënë se Kosova e meriton të jetë pjesë e kësaj Karte

“Ishte kënaqësi që të marr pjesë dhe t’i drejtohem me një fjalim Ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të Kartës së Adriatikut. Shpreha zotimin e Qeverisë së re të Republikës së Kosovës për bashkëpunim rajonal dhe nevojën e angazhimit të përbashkët për një Ballkan Perëndimor më të sigurtë, më stabil dhe më prosperues, duke nënvizuar se orientimi drejt integrimit në strukturat Evro-Atlantike mbetet shtylla kryesore dhe strategjike e politikës së jashtme të Republikës së Kosovës”, thuhet në postimin e zëvendëskryeministrit të Kosovës, Behgjet Pacolli në Facebook.

Pacolli po ashtu ka thënë se Karta e Adriatikut nuk do të jetë në gjendje që të përmbush misionin e saj, përderisa Kosova nuk është nuk është anëtare e kësaj Karte.

“E theksova, gjithashtu, se “karta e Adriatikut për shumë vite ka qenë një rrëfim suksesi i bashkëpunimit të afërt dhe strategjik në mes rajonit tonë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ky mekanizëm shërben si një lidhje e fortë në mes neve dhe NATO-s dhe është plaftormë e dukshme për të siguruar paqe dhe stabilitet në Ballkanin Perendimor”. Kërkova me këmbëngulësi dhe plot bindje se “ne nuk dëshirojmë, që të jemi vetëm vëzhgues, por, që e meritojmë që të jemi anëtar. Anëtar, me të drejta të plota”. Besoj fuqishëm se “kjo Kartë nuk do të jetë në gjendje që të përmbush misionin e saj, përderisa Kosova nuk është anëtare dhe politika e derës së hapur e Kartës nuk është një realitet”, thuhet në postimin e Pacollit .