Pacolli: Kosova dhe Greqia po thellojnë bashkëpunimin, Forumi Ekonomik në mes dy vendeve në vjeshtë

13.07.2018 20:57:06
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, z. Behgjet Pacolli, priti në një takim kortezie Ambasadoren e re të Republikës helenike në Republikën e Kosovës, Chryssoula Aliferi.

Në kuadër të këtij takimi, Zëvendëskryeministri, Pacolli, e njoftoi mysafirën në lidhje me zhvillimet e politikës së brendshme si dhe prezantoi prioritet e politikës së jashtme të vendit, duke kërkuar në veçanti mbështetjen e shtetit grek sa i përket anëtarësimit në Organizata Ndërkombëtare.

Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan nivelin e mirë të marrëdhënieve në mes dy shteteve, duke shprehur përkushtimin reciprok për intensifikimin e mëtejmë të bashkëpunimit ekonomik.

Mbi qëllimin e njëjtë është dakorduar që një Forum Ekonomik në mes Kosovës dhe Greqisë të mbahet në vjeshtë të këtij viti, i cili synon t’i bashkojë udhëheqësit politik dhe ndërmarrësit e të dyja vendeve.​