Pacolli: Kosova, e hapur për investimet turke

28.10.2017 16:41:19

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka deklaruar se Kosova i ka dyert e hapura për bizneset turke pasi që ende ekziston hapësira për bashkëpunim mes dy vendeve. Këto komente numri dy i Qeverisë së Kosovës i ka bërë gjatë vizitës së tij në Ankara, në të cilën është mbajtur Forumi i Biznesit Kosovë – Turqi.

Në këtë forum kanë marrë pjesë edhe dhjetëra biznesmenë nga të dyja vendet. “Jam i nderuar sot që gjendem këtu para jush si një njeri që vjen nga fusha e biznesit. Jam i kualifikuar të bisedoj me ju. Erdha këtu që t’i jap kuptim bashkëpunimit. Ne jemi të vetëdijshëm se kemi një të përbashkët historike dhe një mentalitet që njihet mes vete. Desha që kjo vizitë të mos jetë vetëm një takim, por të fillojnë negociatat dhe deri te marrëveshjet mes kolegëve kosovarë dhe juve këtu në Turqi për një avancim të mëtutjeshëm”, tha Pacolli.

Ai po ashtu ka falënderuar Turqinë për përkrahjen ndaj Kosovës që nga shpallja e pavarësisë e deri më tani. “Vlerësoj kujdesin e institucioneve të Turqisë, që nga dita e parë ishin aty për Kosovën. Po ashtu me shpalljen e pavarësisë Turqia ishte shteti i parë i cili tha po dhe filloi ta mbështesë në të gjitha fushat”, ka thënë ai.

Ndërkaq ministri i Zhvillimit Ekonomik të Turqisë, Lütfi Elvan, i cili po ashtu mori pjesë në Forumin e Biznesit Turqi – Kosovë 2017, tha se Kosova konsiderohet vend mik për Turqinë.

Ai tha se stabilitetin e marrëdhënies Kosovë -Turqi e ndihmojnë edhe marrëdhëniet historike që kemi mes vete. “Kosova për ne është një vend mik. Për të pasur stabilitet duhet shikuar edhe lidhjet historike të vjetra që i vlerësojmë shumë. Për t’i zhvilluar marrëdhëniet tona shikojmë se vullneti po shihet nga të dyja palët. Kjo tregon rëndësinë që i kushtojmë ne marrëdhënies me Kosovën”, ka thënë ai.

Më tutje Elvan ka thënë se Turqia do ta ndihmojë Kosovën në çdo sektor.

Po ashtu ai tha se do të fillojë edhe bashkëpunimi kulturor. “Sa i përket të ardhmes së rajonit Kosova është pjesë e misionit tonë të përbashkët. Kosova është partner i rëndësishëm. E mbështesim Kosovën dhe konfirmojmë përkrahjen për stabilitet. Progresi që është parë në Kosovë dallohet dhe është shembull. Në të ardhmen në çdo sektor dhe në çdo fushë do të ofrojmë mbështetje në Kosovë. Ne edhe në botën e kulturës po nisim rrugën bashkë me Kosovën”, ka thënë ai.

Elvan tha se marrëdhëniet ekonomike të Turqisë me Kosovën janë shumë të rëndësishme.

“Kosova për investitorët tanë është fuqi punëtore. Sa i përket bujqësisë, blegtorisë e të tilla janë fusha ku mund të investojnë biznesmenët turq. Marrëdhëniet ekonomike me Kosovën janë shumë të rëndësishme. Kompanitë tona u kanë siguruar vende pune rreth 10 mijë qytetarëve kosovarë”, tha ai.