Pacolli në Emiratet e Bashkuara Arabe, flet për shtetndërtimin dhe ndërlikimet në diplomaci

07.01.2018 18:21:51

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, ka nisur vizitën e tij dy-ditore në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Në ditën e parë të vizitës së tij, ministri Pacolli mbajti një fjalim në konferencën e organizuar nga Instituti Ndërkombëtar për Diplomacinë Kulturore (IICD), me temën ”TheNew Nexus – Diplomacy, Security and Digital Nation State”, ngjarje kjo, që ka bashkuar shumë ministra e akademik nga shtete të ndryshme të botës.

Ministri i Jashtëm Pacolli, si njëri nga panelistët kryesor të konferencës referoi mbi temën e procesit të shtet-ndërtimit dhe ndërlikimet në diplomaci.

Pas konferencës dhe interesimit të shprehur nga mediat, që mbulonin këtë aktivitet, ministri Pacolli, së bashku edhe me panelistët e tjerë mbajtën edhe një konferencë për media.

Ministri i Jashtëm Pacolli, vizitën zyrtare në Emiratet e Bashkuara Arabe e vazhdon edhe nesër, ku do të pritet në takime nga përfaqësues të lartë të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Samiti i INTERPOL-it, nismat për marrëveshjet bilaterale, thellimi i bashkëpunimit ekonomik dhe hapja e Ambasadës së Kosovës në Abu Dhabi janë disa nga temat kryesore, që pritet të diskutohen në kuadër të këtyre takimeve respektive.