Pacolli në Samitin e Londrës: Është koha për Marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë

09.07.2018 19:22:33

Dialogu në mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë ka sjellur progres dhe rezultate pozitive, por është koha që të flasim për Marrëveshje përfundimtare, e cila do të jetë në të mirë të të dyja vendeve.

Kështu ka thënë në adresimin e tij Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, në sesionet e tjera të diskutimeve të ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve të Ballkanit Perëndimor bashkë me ministrat e tjerë të vendeve të Bashkimit Europian, pjesë e “Procesit të Berlinit”.

Kryediplomati kosovar ka prezantuar prioritetet dhe të arriturat e Qeverisë së Kosovës, ndërsa ka vlerësuar lartë kontributin që ka dhënë iniciativa e vendeve të Ballkanit Perëndimor tani më e njohur si “Procesi i Berlinit” në përshpejtimin e krijimit të kushteve infrastrukturore për zhvillim ekonomik si dhe në paqësimin e mëtutjeshëm të rajonit përmes bashkëpunimit konstruktiv.

Gjatë pjesës fillestare të takimit të Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ministri i Jashtëm Pacolli kishte marrë pjesë në panelin diskutues me shoqërinë civile, gjatë të cilit është diskutuar lidhur me përmirësimin e perspektivës së rinisë në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në margjina të Samitit të Londrës, numri dy i Qeverisë ka zhvilluar takime të shumta më përfaqësues të niveleve të larta nga shtete të ndryshme, që po marrin pjesë në këtë ngjarje.