Pacolli: Nuk thashë që shqiptarët kryen krime lufte

18.09.2017 17:49:39

Ministria e punëve të Jashtme e Kosovës ka dërguar një komunikatë ku ka sqaruar një prononcim të Zëvendëskryeministrit të parë Behgjet Pacollit, dhënë për radiotelevizionin e Zvicrës gjermane SRF.

MPJ thotë se prononcimi i Pacollit është përcjellë tek opinioni me pasaktësi nga disa media sociale, pasi mohohet që Kreu i AKR-së të ketë thënë se shqiptarët kanë kryer krime lufte, transmeton Klan Kosova.

Për më shumë ky është transkripti i plotë i Zëvendëskryeministrit të parë të vendit Behgjet Pacollit, prononcim të cilin e dha për një televizion gjerman të Zvicrës:

”Më shumë është thënë se sa që është bërë. Flitet për këtë Gjykatë që moti; këto ngritje të aktakuzave i kam pritur para një viti ose dy.

Është mirë që dikush ngre aktakuzë për dikë që ka bërë krime dhe nëse në mesin e kosovarëve ka njerëz të tillë që kanë bërë krime gjatë luftës, është e drejtë që ata të inkriminohen dhe të dënohen për këtë.

Ne sot jetojmë në shekullin 21, në mileniumin e tretë ku toleranca e bashkëpunimi vihen në rendin e parë dhe nuk duhej të bëhet fjalë as për hidhërimet nga e kaluara e as për urrejtjet ndërfetare apo ndërnacionale.

Unë besoj se Kosova e ka marrë drejtimin e vet paqësor; interesi i saj është që të ketë marrëdhënie të mira me fqinjët e saj. Kosova i respekton fqinjët e vet; Kosova respekton çdo gjë që është civilizuese dhe ky respekt -besoj çdokush e di që duhet të jetë i ndërsjellë”.