Pacolli para bashkatdhetarëve në Austri flet për planet katër vjeçare të AKR-së

15.01.2017 18:44:13

Kryetari i AKR-së Behgjet Pacolli ka qëndruar në Austri këtë të diel në kuadër të debateve me bashkëatdhetarë, ku ka folur për alternativat e zhvillimit ekonomik të cilat i ofron partia që drejton

I pari i AKR-së, para një numri të madh të qytetarëve të Kosovës në Linz të Austrisë, ka folur në pika konkrete dhe është përgjigjur në pyetjet e tyre për projektet e AKR-së, në katër vitet e ardhshme, njofton AKR përmes një komunikate.

Pacolli ka treguar për mënyrat se si mund të krijohen vendet e reja të punës, si dhe ka folur për pengesat të cilat duhet të eliminohen në mënyrë që të hapet rruga për këtë zhvillim.

Duke u bazuar në statistikat ndërkombëtare të publikuara kohëve të fundit, të cilat evidentojnë rënien drastike të investimeve të huaja në Kosovë, Presidenti i AKR-së ka thënë se ky është një paralajmërim serioz për të ardhmen e Kosovës dhe mirëqenien e qytetarëve të saj.

“Nuk mund të ketë të rritje ekonomike pa të hyra buxhetore”, ka thënë Pacolli. Buxheti i paraparë për vitin 2017, ende nuk dihet se si do të realizohet, ka shtuar ai.

“Duke folur për përvojën e tij në fushën e ekonomisë, lideri i Aleancës Kosova e Re, ka thënë se me menaxhim të mirë, Kosovës do t’i garantohen investimet e huaja përmes të cilave pastaj për çdo vit do të mund të krijohen deri në 50 mijë vende të reja pune”, shkruan në komunikatë.

“Presidenti i Aleancës Kosova e Re, ka thënë se neglizhenca dhe mossuksesi i qeveritarëve pasqyrohet në jetën e qytetarëve.

“Unë shpresoj që qytetarët kësaj radhe do të jenë të vetëdijesuar dhe do të zgjedhin alternativën më të mirë për vendin tonë. Me ngritjen e vetëdijes qytetare, fuqia e pushtetarëve bie, kjo i duhet Kosovës. Ne duhet të vetëdijesohemi”, ka shtuar Pacolli.